Lidhje

BE: Kosova të angazhohet në bisedimet me Serbinë


Shefi i Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim, Olivér Várhelyi, thanë të hënën se presin formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe përfshirjen e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një deklaratë të përbashkët, të dy zyrtarët e lartë të BE-së thanë se presin më padurim "formimin e përbërjes së re të parlamentit e qeverisë së re si dhe zgjedhjen e një presidenti të ri të Kosovës".

Ata thanë se Bashkimi Evropian pret që institucionet e reja ta shfrytëzojnë mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

"Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe Bashkimi Evropian pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë që është para tyre për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratë.

Në njoftim po ashtu thuhet se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e përparimit të prekshëm në rrugën e saj evropiane. "Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reforma sipas marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës Evropiane të Reformave, si dhe në bashkëpunimin rajonal".

Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat lëvizja Vetëvendosje doli fituese. Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha se bisedimet me Serbinë nuk janë përparësi. "Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi", tha ai të dielën mbrëma.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG