Lidhje

BE-ja diskuton për krizën e emigrantëve


Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve nga gjithë Evropa morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët dy ditore të organizuar nga Bashkimi Evropian për çështjen e emigracionit. Vendet e BE-së po shqyrtojnë mënyrat për të frenuar fluksin e emigrantëve nëpërmjet Ballkanit, si dhe mekanizmin për një kontroll më të mirë të kufijve.

Gjatë një konference për shtyp, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Federica Mogherini, rikonfirmoi mbështetjen për refugjatët sirianë.

“Është e padiskutueshme se njerëzit që vijnë nga Siria kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe se asistenca e BE-së për Turqinë synon pikërisht të ofrojë instrumentat dhe burimet për të strehuar azilkërkuesit.”

Edhe Ministri i Jashtëm i Hollandës, Bert Koenders bëri thirrje për një reagim humanitar ndaj krizës siriane që po rëndohet nga bombardimet ajrore të regjimit të Presidentit sirian Assad dhe të Federatës Ruse, si dhe theksoi rrezikun në rritje që kjo situatë po krijon për Bashkimin Evropian.

“Jemi gjithnjë e më të shqetësuar për menaxhimin e kufijve dhe divergjencave në rritje ndërmjet vendeve anëtare. Po shohim se disa vende po marrin masa vetë për të ndalur fluksin, si duke ndërtuar gardhe dhe duke kthyer mbrapsht refugjatët. Megjithëse e mirëkuptoj nevojën për të marrë të tilla masa, mendoj se duhet arritur një përqasje mbarë-evropiane për menaxhimin e këtij fluksi.”

Ndërkohë që Greqia nuk po përballon dot fluksin e emigrantëve që kalojnë përmes Turqisë, BE-ja po e kthen vëmendjen ndaj vendeve të tjera jo-anëtare, si Maqedonia, të cilët mund të frenojnë këtë fluks përpara se të arrijë brenda terroritorit të unionit.

Rreth dy javë më parë, Kryeministri i Hungarisë kërkuar ngritjen e një gardhi rrethues kufitar përgjatë vendeve të Ballkanit dhe Greqisë. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto propozoi tashmë që Maqedonia dhe Bullgaria të shndërrohen në brezin e ri mbrojtës së Bashkimit Evropian.

“Nëse Greqia nuk mundet të mbrojë zonën Shengen, si dhe nuk pranon asistencë në këtë drejtim, atëherë na duhet një tjetër vijë mbrojtëse, që janë qartësisht Bullgaria dhe Maqedonia. Është irritues fakti që të gjithë flasin për nevojën e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së dhe asgjë nuk bëhet në këtë drejtim”, tha ai.

Hungaria është e gatshme madje të japë asistencë dypalëshe për Maqedoninë për ndërtimin e infrastrukturës mbrojtëse. Vendimi i Hungarisë tetorin e vitit të kaluar për ndërtimin e gardhit kufitar, shtyu mbi 400 mijë refugjatë që të zhvendoseshin drejt Sllovenisë, e cila gjithashtu ndërtoi një gardh përgjatë kufirit me Kroacinë, për t’u siguruar që kufiri do të kalohej vetëm nëpërmjet pikave zyrtare të kalimit kufitar.

Ndërkohë që zonja Mogherini përjashton mbylljen e kufijve si një zgjidhje, mbërritja e emigrantëve në brigjet evropiane ka vazhduar me ritme të larta pavarësisht kushteve të vështira të motit dimëror.

XS
SM
MD
LG