Lidhje

BE veprim ligjor ndaj Polonisë, lidhur me reformën për Gjykatën e Lartë


Të hënën Bashkimi Evropian ndërmori veprime ligjore kundër Polonisë lidhur me reformat e debatueshme të vendit për Gjykatën e Lartë, në atë që shihet si raund i fundit i një përplasjeje mes Brukselit dhe qeverisë së djathtë në Varshavë.

Komisioni Evropian, krahu i fuqishëm ekzekutiv i bllokut, njoftoi se masa për të ulur moshën për daljen në pension të secilit gjyqtar të Gjykatës së Lartë nga 70 në 65, do të dëmtonte pavarësinë e gjyqësorit, duke shkelur detyrimet e Polonisë sipas ligjit të Bashkimit Evropian.

Komisioni ka zhvilluar bisedime me Varshavën rreth disa reformave gjyqësore që BE-ja thotë se kërcënojnë sundimin e ligjit në Poloni, por zyrtarët evropianë thanë se mbi këtë çështje, duhej një veprim i shpejtë.

"Ligji polak për Gjykatën e Lartë tashmë është diskutuar në kontekstin e dialogut të sundimit të ligjit mes Komisionit dhe autoriteteve polake, por gjatë këtij procesi nuk është trajtuar në mënyrë të kënaqshme", u tha gazetarëve zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Mosha e re e daljes në pension, e paraqitur nga qeveria polake e partisë për Drejtësi dhe Ligj (PiS), hyn në fuqi të martën dhe do të detyronte më shumë se një të tretën e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të largoheshin.

"Duke pasur parasysh mungesën e progresit dhe zbatimin e pashmangshëm të kësaj mase ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Komisioni vendosi të fillojë sot procedurën që e konsideron si shkelje një masë të tillë, për shkak të urgjencës që paraqet çështja".

Në një deklaratë të veçantë, komisioni tha se "kjo masë minon parimin e pavarësisë së gjyqësorit".

Qeveria polake këmbëngul se ndryshimet janë të nevojshme për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar sistemin gjyqësor që sipas saj ende “përndiqet nga fantazmat” e epokës komuniste. Kritikët, përfshirë Bashkimin Evropian argumentojnë se ato minojnë parimin e ndarjes së pushteteve dhe për këtë shkak janë kërcënim për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG