Lidhje

Barroso: Rreziku politik, më i madhi për Evropën


Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso i bëri thirrje sot BE-së të çimentojë rimëkëmbjen ekonomike, duke thënë se mosmarrëveshjet politike janë rreziku më i madh ndaj tyre.

Në fjalimin e përvitshëm mbi gjendjen e bllokut, në parlamentin evropian, zoti Barroso tha se investitorët ende kanë mungesë besimi tek eurozona.

“Në këtë kohë, me rimëkëmbjen e brishtë, rreziku më i madh që shoh është politik – ky është rreziku më i madh. Në këtë fazë të krizës, puna e qeverive është të japin siguri dhe parashikueshmëri për të cilat tregjet kanë nevojë, tha presidenti Barroso.

Ai paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë në momentin kur papunësia është në nivel rekord dhe bëri thirrje për qëndrueshmëri.

Eurozona iu kthye rritjes në pranverë këtë vit pas një recesioni të gjatë që erdhi nga borxhet dhe kriza bankare që gati shpërbëri bllokun.

Zoti Barroso u dha gjithashtu mbështetje shefave të telekomunikacionit në BE për një paketë reformash që do të krijoj një treg të vetëm për telekomin, megjithë shqetësimet se disa pjesë mund të favorizojnë operatorët e mëdhenj.

“Dua të njoftoj sot se do të miratojmë një propozim që do t’i jap shtytje një tregu të vetëm për telekomin. Qytetarët e dinë se Evropa i ka ulur ndjeshëm kostot e telefonatave. Propozimi ynë do të forcojë garancitë dhe do të ulë çmimet për konsumatorët ndërsa do të sjellë mundësi të reja për kompanitë”.


Në fjalimin e tij zoti Barroso kritikoi gjithashtu trysninë e Rusisë ndaj Ukrainës për të hartuar plane për lidhje më të ngushta me Evropën duke thënë se BE-ja nuk mund të pranojë përpjekje për të kufizuar zgjedhjet e vendeve të Evropës lindore.

``Sot vende si Ukraina po kërkojnë gjithnjë e më shumë lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian, të tërhequr nga modeli ynë ekonomik dhe shoqëror. Ne nuk mund të pranojmë asnjë përpjekje që kufizon këto vende të bëjnë zgjedhjet e tyre në mënyrë të pavarur”.


Mandati i dytë i zotit Barroso si president i Komisionit Evropian përfundon vitin e ardhshëm dhe deri tani ai ka kundërshtuar të pranojë nëse do të kërkoj një mandat të tretë. Asnjë nga traktatet e BE-së nuk e ndalon një mandat të tretë, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.


XS
SM
MD
LG