Lidhje

Hahn: Serbia duhet të merret vesh me Kosovën para anëtarësimit në BE


Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha të mërkurën se Serbia duhet të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Komisionari Hahn qëndroi të mërkurën në Beograd një ditë pasi që Komisioni Evropian publikoi strategjinë e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor që parasheh afat deri më 2025 për anëtarësimin e Serbisë e Malit të Zi, nëse përmbushin reformat dhe kushtet e domosdoshme.

Zoti Hahn tha pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se Bashkimi Evropian nuk do të importojë konflikte të pazgjidhura në mes të vendeve të reja anëtare.

"Serbia duhet të përmbyllë dhe të zbatojë një marrëveshje detyruese ligjore me Kosovën para se të anëtarësohet", tha ai.

Presidenti serb tha se para Serbisë ndodhen "male me pengesa" në negociatat me Bashkimin Evropian, duke vënë theksin tek çështja e Kosovës por edhe kufijve ne Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë.

"A janë pengesa të lehta? Nuk janë. Si Himalajet janë, por nuk do të ishim të parët që janë ngjitur në Mont Everest", tha presidenti serb, sipas të cilit, detyrat më të rënda që dalin nga strategjia e Komisionit Evropian, janë për Serbinë dhe ka ardhur koha që "të merren vendime, të paguajë çmime të caktuara nga e kaluara dhe të zgjidhim probleme që nuk kanë zgjidhur me dekada më parë".

Ai tha se për çështje të tilla të rënda duhet të flasin qytetarët.

“A e shohim të ardhmen në Evropë, meqë duhet të paguajmë një çmim të caktuar, që nuk është i vogël, apo të qëndrojmë kështu si jemi? Do të vendosin qytetarët dhe ne do ta respektojmë atë vendim", tha ai duke nënvizuar se "nuk mundet që Serbia të humbë gjithçka e dikush tjetër të fitojë gjithçka", por zgjidhjet duhet të jenë rezultat i një kompromisi "më të cilin të dyja palët duhet të humbin që të jenë të kënaqura".

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur dhjetë vjet me parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG