Lidhje

Samiti i BE-së në Bruksel

  • Henry Ridgewell

Krerët e shteteve të Bashkimit Evropian vazhdojnë takimin sot në Bruksel, ku përgjigja e BE-së ndaj fushatës ruse të bombardimeve në Siri është në krye të rendit të ditës. Forcat qeveritare siriane filluan një armëpushim 3 ditor në Aleppo të enjten, por aleatët e tyre rusë kanë refuzuar të zgjasin marrëveshjen megjithë trysninë nga Franca dhe Gjermania.

Megjithë armëpushimin e përkohshëm, në qiejt e Aleppos ka pak shenja të një fundi të fushatës së bombardimeve të ndërmarrë nga qeveria siriane dhe forcat ruse. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara akuzojnë Moskën për vrasjen dhe plagosjen e mijëra civilëve – veprime që Franca thotë se përbëjnë krime lufte.

Duke mbërritur dje në Bruskel për takimin e saj të parë të Këshillit të Evropës, kryeministrja britanike Theresa May bëri thirrje për unitet:

“Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe është jetike që të bashkëpunojmë për të vazhduar presionin mbi Rusinë që të ndalë mizoritë e tmerrshme në Siri.”

Evropa kishte debatuar për lehtësimin e sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë lidhur me aneksimin e Krimesë dhe Ukrainës Lindore. Por kjo shihet tani si e pamundur, thotë John Lough me institutin Chatham House në Londër.

“Rusët po shfrytëzonin me sukses disa përçarje në Evropë rreth sankioneve. Por përballë kësaj mundësie të re që i ishte krijuar, presidenti Putin, bëri diçka që e ktheu prirjen, duke u përfshirë në bombardimet e Aleppos. Kjo shkaktoi menjëherë zemërim ndërkombëtar dhe e ashpërsoi menjëherë qëndrimin e Evropës.”

Zoti Lough argumenton se Evropa duhet të riformulojë politikën e saj në përgjigjen ndaj Rusisë.

“Ne duhet të dialogojmë në ato fusha ku mundemi. Por në të njëjtën kohë duhet të mbajmë qëndrim të prerë që tregon cili është kufiri. Duhet të mbrojmë vlerat tona – mendoj se duhet të mbështesim me forcë parimin e paprekshmërisë së kufijve.”

Lufta civile në Siri është mes faktorëve shtytës që ka sjell miliona refugjatë dhe imigrantë në brigjet evropiane.

Ndërsa rrjedha e imigrantëve përmes Turqisë është ngadalësuar, mijëra vazhdojnë të mbërrijnë çdo javë në brigjet italiane nga Afrika Veriore. Para takimit të nivelit të lartë në Bruksel, Italia akuzoi Evropën për mungesë solidariteti në përballjen me krizën – me një farë të drejte, thotë Ian Bond i Qendrës për Reformën Evropiane.

“Italia po përballet me një problem që është absolutisht jo për faj të saj, por përgjigja e BE-së ka qënë e papërshtatshme. Dhe kjo pjesërisht pasi ka vende si Hungaria, Polonia në një fare mase, që po thonë se nuk janë të përgatitura të ndajnë refugjatët që mbërrijnë në Itali.”

Me një plan të ngjeshur pune në Bruksel, dalja e Britanisë nga BE-ja do të jetë gjithashtu pjesë e diskutimeve – me të dyja palët që po ashpërsojnë pozicionet e tyre javët e fundit para bisedimeve zyrtare që priten në fillim të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG