Lidhje

Marrëveshja BE-Turqi për refugjatët


Ka kaluar një vit që kur Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje me Turqinë, për të mos lejuar hyrjen e refugjatëve në Greqi, në këmbim të një ndihme prej 6 miliardë dollarësh. Në pamje të parë kjo marrëveshje duket të jetë e suksesshme, ndërsa numri i njerëzve që mbërrijnë në brigjet greke ka rënë rreth 90 për qind. Por agjencitë e ndihmave thonë se këto shifra maskojnë vuajtjet e mijëra emigrantëve që kanë mbetur nëpër kampe, në pamundësi për të gjetur një vend të sigurtë ku të shkojnë:

Një fabrikë e braktisur në Athinë është bërë strehë për rreth 600 njerëz, shumica e tyre nga Afganistani, Siria dhe Pakistani. Ata janë në mesin e rreth 60,000 emigrantëve që kanë ngecur në Greqi për më tepër se një vit, duke jetuar me vuajtje në kampe të ngjashme, pa patur se ku të shkojnë, ndërsa kufijtë e vendeve ballkanike për në Evropën Perëndimore mbeten të mbyllura.

Grupet e ndihmave e akuzojnë Bashkimin Evropian për braktisjen e përgjegjësive që ka ndaj këtyre njerëzve. Declan Barry i grupit “Mjekët pa kufij” komentoi për Zërin e Amerikës nga Brukseli.

“Sigurisht, që kur jemi në terren duke trajtuar pacientët dhe shohim vuajtjet e këtyre njerëzve si pasojë e marrëveshjes mes BE-së dhe Turqisë, nuk mund të themi se ajo ishte e suksesshme. Nga pikëpamja njerëzore, kjo marrëveshje është e dështuar”, thotë ai.

Zoti Barry thotë se kushtet e rënda të jetesës po lënë pasoja të thella tek shëndeti i imigrantëve.

“Një numër i madh refugjatësh nëpër kampe janë me probleme mendore, ata kanë stres dhe çrregullime post-traumatike, gjendje ankthi dhe depresion.”

Por zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se falë shkatërrimit të grupeve kontrabandiste janë shpëtuar qindra jetë njerëzish. Komisioneri i BE-së për Emigracionin, organizoi ditët e fundit një takim me kryetarët e bashkive të 5 ishujve grekë, që janë përballur më tepër me krizën e emigrantëve.

“Rezultatet janë pozitive, pasi numri i refugjatëve ka rënë së tepërmi, krahasuar me një vit më parë, kur në Evropë hynë nga Turqia 10 mijë njerëz. Tani numri i refugjatëve ka rënë ndjeshëm, në 60 vetë në ditë, një shifër që menaxhohet me lehtësi.”- thotë komisioneri evropian për migrimin, Dimitris Avramopoulos.

Avramopoulos u bëri thirrje shteteve të BE-së ta shpejtojnë procesin e risistemimit të refugjatëve. Franca nënshkroi të mërkurën një marrëveshje për të marrë 500 refugjatë sirianë nga Libani. Ka shpresa, që kalimi i sigurtë i refugjatëve do ta lehtësojë presionin tek kufijnë evropianë.

“Ekzistojnë mundësitë për të ofruar një alternativë për udhëtimin vdekjeprurës nëpër Mesdhe, duke i mbrojtur këta njerëz nga trafikantët”, thotë Valerie Regnier e Komunitetit të Sant Egidios.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Turqisë ka paralajmëruar se marrëveshja për refugjatët rrezikohet, ndërsa BE ka vonuar hyrjen pa viza të qytetarëve turq në vendet e BE-së, që është pjesë e marrëveshjes. Brukseli kërkon që Ankaraja t’i modifikojë ligjet e saj të rrepta kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG