Lidhje

BE, thirrje Rusisë "t'i thërresë arsyes" për Ukrainën


BE e ka kërcënuar Rusinë me sanksione të reja, në se Moska e vazhdon aktivitetin e vet në Ukrainën lindore. Por Bashkimi është tepër i ndarë lidhur me ashpërsinë e këtyre sanksioneve, për shkak se shumë nga 28 vendet anëtare janë të varura tek gazi dhe tregtia me Rusinë.

Udhëheqësit e BE-së që u takuan sot në mëngjes në Bruksel, i kërkuan Komisionit Europian që të përgatitet një listë brenda një jave me masa të reja kundër Rusisë, në se ajo nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Ukrainës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Presidenti rus Vladimir Putin duhet të veprojë me shpejtësi, që të shmangë sanksionet e reja.

Kryeministri britanik David Cameron tha se Rusia duhet ta kuptojë se marrëdhënia e tij me Perëndimin ka një të ardhme të zymtë, në se Moska vazhdon në të njëjtën rrugë që ka nisur me Ukrainën.

Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e BE-së i kërkojnë Rusisë “tërheqje të menjëhershme të të gjitha pajisjeve dhe forcave ushtarake nga Ukraina.” Megjithë faktet e njohura mirë, Rusia mohon të ketë forcat e saj në Ukrainë.

Sanksionet e reja duhen miratuar njëzëri nga udhëheqësit e BE-së dhe shumë prej tyre kanë dyshime se ato mund të shkaktojnë një reagim të ashpër ekonomik.

XS
SM
MD
LG