Lidhje

Trump: Tarifa mbi makinat e importuara nga BE


Presidenti Trump ka kërcënuar se do të vërë 20% tarifa mbi automjetet e montuara në Bashkimin Evropian, që importohen në Shtetet e Bashkuara, si kundërpërgjigje ndaj tarifave evropiane mbi mallrat që importon Evropa nga SHBA.

Të premten, kur hynë në fuqi tarifat evropiane, Presidenti Trump postoi në Twitter komentin “nëse këto tarifa e pengesa nuk hiqen së shpejti, ne do të vendosim 20% tarifa mbi të gjitha makinat që ata na sjellin këtu. T’i ndërtojmë këtu makinat!”.

Komentet e presidentit pasojnë njoftimin të enjten nga Sekretari i Tregtisë Wilbur Ross se departamenti i tij ka në plan të përfundojë brenda korrikut ose gushtit një hetim nëse makinat dhe pjesët e këmbimit të importuara nga jashtë janë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Tarifat e reja prekin mallra amerikane me vlerë prej disa miliarda dollarësh, përfshirë xhinset, pijet burbon dhe motoçikletat.

Këto veprime janë përgjigja e BE ndaj vendimit të Presidentit Trump për të vendosur taksa mbi çelikun dhe aluminin e importuar.

Pritet që SHBA të fillojë brenda dy javësh të vjelë taksa mbi mallra të importuara nga Kina me vlerë mbi 30 miliardë dollarë.

Ashtu si BE, edhe Kina ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet menjëherë, duke krijuar fërkime mes dy ekonomive më të mëdha të botës.

‘Zoti Trump ka thënë se masat kundër çelikut dhe aluminit të BE-së kanë patur si qëllim të mbrojnë interesat e sigurisë kombëtare, por frika që kanë patur gjithnjë prodhuesit amerikanë të uiskit, është duke u bërë realitet.

“Pra, një shishe uiski 50 dollarëshe, në vend që të shitet 50 euro, tani do të shitet diku tek 62.5 dhe ky është një ndryshim i madh në çmim”, thotë Scott Harris, i distilerisë Catoctin Creek.

Tregjet e huaja janë bërë shumë fitimprurëse për prodhuesit amerikanë të uiskit, por vendosja e tarifave mund t’i detyrojë ata të përqëndrohen në tregun vendas.

Turqia ka njoftuar gjithashtu se do të vendosë tarifa ndaj produkteve amerikane si hakmarrje ndaj tarifave të çelikut dhe aluminit.

Organizata Botërore e Tregtisë njoftoi se tarifat e reja të Turqisë do të arrijnë në 266.5 milionë dollarë për produkte që përfshijnë makinat, qymyrin, letrën, orizin dhe duhanin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG