Lidhje

Mogherini javën tjetër në Ballkan


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të qëndrojë në Ballkanin Perëndimor nga 17 deri më 19 prill. Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se ajo do të vizitojë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Vizita do të pasojë diskutimet për Ballkanin Perëndimor në Këshillin për politikë të Jashtme në Luksemburg më 16 prill dhe miratimin e pakos së zgjerimit që do të paraqitet nga zonja Mogheirni dhe komisionari, Johannes Hahn në Strasburg më 17 prill. Vizita ndodhë një muaj para takimit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë më 17 maj.

Në prag të vizitës, zonja Mogherini tha se "Ballkani Perëndimor është Evropë dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së BE-së, një bashkimi më të fortë më të qëndrueshëm e më unik. Është interes i përbashkët dhe përgjegjësi e përbashkët e BE-së dhe e vendeve të rajonit, për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë. Është momenti për ndryshime pozitive, në mënyrë që të arrihet përparim i pakthyeshëm drejt Bashkimit Evropian".

Më 18 prill ajo do të marrë pjesë në takimin joformal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fillim të muajit shkurt, Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti.

Strategjia shpjegon hapat që duhet të hedhin Mali i Zi dhe Serbia për të përmbushur procesin e anëtarësimit deri më 2025, ndërsa vendet tjera mund të synojnë atë afat. Mali i Zi dhe Serbia janë të vetmet vende që tashmë janë të përfshira në negociatat për anëtarësim.

Në strategji thuhej se Shqipëria dhe Maqedonia janë duke shënuar përparim të dukshëm në rrugët e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura.

Komisioni do të fillojë të përgatisë një opinion lidhur me aplikimin për anëtarësim të Bosnje dhe Hercegovinës pas pranimit të përgjigjeve gjithëpërfshirëse dhe të plota në pyetësorin e saj. Me përpjekje dhe angazhim të qëndrueshëm, Bosnje dhe Hercegovina mund të bëhet kandidat për anëtarësim.

Kosova ka një mundësi për përparim të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar rrugëtimin e saj evropian, sapo të lejojnë rrethanat objektive, thuhet në dokument.

Zyrtarët evropian kanë ritheksuar se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe, duke vënë theksin se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pakoja e zgjerimit është pjesë e përpjekjeve për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG