Lidhje

Evropa akuzohet për abuzimin e emigrantëve


Një ndër organizatat kryesore humanitare e ka akuzuar Bashkimin Evropian për bashkëfajësi në torturimin, vrasjen dhe përdhunimin e emigrantëve të mbajtur në kampet në Libi, të cilat kontrollohen nga milicitë e armatosura dhe trafikantët. Kritikët thonë se Bashkimi Evropian po i mbështet këto grupime për të ulur fluksin e emigrantëve përmes Mesdheut.

Mijëra emigrantë të dëshpëruar për të mbërritur në Evropë, po mbahen në kampe në mbarë Libinë. Kushtet janë disi më të mira në kampet e menaxhuara nga organizata e OKB-së për emigracionin, IOM.

Por, organizata “Mjekët pa Kufij” thotë se milicitë e armatosura në Libi po i mbajnë emigrantët në kushtet të tmerrshme, ku u nënshtrohen torturave, përdhunimeve, urisë dhe vrasjeve.

“Këto kampe do t’i emërtoja si një industri e vuajtjeve njerëzore”, thotë Dr. Joanne Liu, e organizatës “Mjekët pa Kufi”.

Emigrantët që kapen në det të hapur nga roja bregdetare libiane me mbështetjen e Bashkimit Evropian, dërgohen mbrapsht dhe mbahen të ndaluar në një sistem që “Mjekët pa Kufij” e përshkruajnë si një biznes pengmarrjeje, torturash dhe grabitjesh. Organizata akuzon Evropën si bashkëfajtore.

“A ndjehen mirë që njerëzit të kapen dhe të kthehen mbrapsht aty ku do të përdhunohen, torturohen dhe skllavërohen? A ndjehen mirë që po ndihmojnë kriminelët dhe trafikantët?”, pyet dr. Liu.

Komisioni Evropian e mohon keqtrajtimin e emigrantëve në Libi dhe Italia udhëheq operacionet e atjeshme. Kryeministri italian premtoi të enjten se do të kërkojë përmirësimin e kushteve në kampe.

“Megjithatë, nuk mund të sabotojmë përkushtimin tonë për të luftuar trafikantët dhe sjelljen e emigrantëve drejt vendeve tona”, deklaroi Kryeministri Gentilioni.

Bashkimi Evropian po vështirësohet të balancojë presionin publik për t’i dhënë fund krizës së emigrantëve, me vlerat e shumëlavdëruara të të drejtave të njeriut.

“Këtu qëndron problemi dhe paradoksi, pasi autoritetet evropiane duhet të bëjnë diçka për të ulur emigracionin. Dhe mënyra e vetme është duke arritur marrëveshje me palët e ndryshme të përfshira në trafikimin e njerëzve. Çmimi që duhet paguar është shkelja e të drejtave të njeriut dhe pranimi i një niveli dhune dhe abuzimesh”, thotë analisti Riccardo Fabiani, i “Grupit Eurasia”.

Zoti Fabiani thotë se Evropa duket se është gjithnjë e më e gatshme ta paguajë këtë çmim për t’i dhënë fund krizës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG