Lidhje

Arrestime në disa vende evropiane nën dyshimet për terrorizëm


Policia në disa vende të Evropës arrestoi të paktën 15 persona nën dyshimet për përfshirje në veprime terroriste. Autoritetet italiane thanë se në mesin e tyre është një shqiptar nga Kosova

Autoritetet italiane thanë të enjten se policia në gjashtë vende evropiane, ka arrestuar të paktën 15 persona të dyshuar si pjesëtarë të një grupi militant islamik, që po planifikonte sulme në Evropën veriore dhe në Lindjen e Mesme.

Prokurori italian Franco Roberti tha të enjten në Romë se bastisjet e bashkërenduara të policisë synuan grupin Rawti Shax, i cili sipas policisë synonte rrëzimin e rajonit të Kurdistanit në Irak.

“Pesëmbëdhjetë kurdë nga Iraku dhe një qytetar nga Kosova, janë arrestuar nën dyshimet për terrorizëm ndërkombëtar të lidhur me Shtetin Islamik”, tha ai.

Hetimet rreth grupi ishin kryer nga karabinierët italian së bashku me forcat e sigurisë në Britani, Norvegji, Finlandë, Gjermani dhe Zvicër.

Komandanti i i njësisë kundër terrorizimit Giuseppe Governale, tha se “ky është operacioni me i rëndësishëm që është ndërmarrë në Evropë në 20 vjetët e fundit”.

Forcat e sigurisë kishin lëshuar urdhër arresti ndaj 17 vetave, 15 nga të cilët janë kapur. Të gjithë ata përballen me akuza për terrorizëm ndërkombëtarë, thuhet në një njoftim të karabinierëve italianë.

Në Kosovë, autoritetet nuk kanë njohuri nëse në mesin e të arrestuarve është një person nga Kosova dhe nuk kanë mundur të vërtetojnë njoftimet e medias lokale e cila e identifikoi të arrestuarin si Eldin Hoxha.

Autoritetet italiane thanë se udhëheqësi ideologjik i rrjetit ishte Najmuddin Faraj Ahmad, i cili mbahet në burg në Norvegji.

Autoritetet thonë se ai kishte krijuar një rrjet pasuesish në të gjithë Evropën që komunikonin me internet, biseda të cilat përgjoheshin nga policia italiane dhe që çuan në arrestimet e sotme.

XS
SM
MD
LG