Lidhje

OKB përpiqet për përgjigje kolektive për emigrantët


Autoritetet në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, kanë hapur për emigrantët nga Siria dhe Afganistani një nga pallatet e lojërave olimpike, me qëllim uljen e numrit të emigrantëve që flenë në qiell të hapur. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, po u bën thirrje udhëheqësve botërorë të mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që t’i përqasen çështjes së refugjatëve në Evropë me “krijimtari, dhembshuri, dhe kurajo”.

Stadiumi i mbyllur olimpik Galatsi ku janë luajtur lojërat olimpike të Athinës 2004, u vendos në dispozicion të 400 emigrantëve nga Siria dhe Afganistani. Autoritetet e kryeqytetit grek po reagojnë ndaj shqetësimit të qytetarëve për emigrantët e shumtë që e kalojnë natën në qiell të hapur në sheshet e Athinës.

Ndërkohë vazhdojnë në OKB përpjekjet për të arritur një konsensus në lidhje me trajtimin e emigrantëve në Evropë.

“Debati për emigrantët dhe refugjatët ndikohet shpesh prej paragjykimeve. E ardhmja nuk u përket atyre që kërkojnë të ndërtojnë mure dhe frikë.”

Shtatë vendet më të industrializuara të botës kanë premtuar 1.8 miliardë dollarë fonde për krizën e emigrantëve. Japonia ka premtuar të japë 810 milionë dollarë, por ministri i jashtëm gjerman thotë se komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë edhe më shumë.

“Kemi përgjegjësi të përbashkët për milionat e refugjatëve dhe duhet të bëjmë shumë më tepër. Agjensitë e OKB-së që ofrojnë ndihma emergjence kanë mungesë financimi. Gjermania ka premtuar të japë edhe 100 milionë Euro të tjera.”

Disa vende evropiane që fillimisht i hapën kufijtë e tyre për emigrantët, tashmë i kanë rimbyllur ose po zbatojnë masa shtrënguese për azilkërkuesit. Hungaria ka ngritur një gardh me tela me gjemba në kufirin me Serbinë.

“Në kufijtë e Hungarisë po mbërrijnë nga Siria, Iraku, Pakistani, Afganistani, dhe tashmë edhe nga rajoni nënsaharian. Dua të jem shumë i qartë: Evropa nuk do të jetë në gjendje ta përballojë këtë e vetme. Nëse diçka nuk ndryshon, Evropa do të destabilizohet.”

Delegatët në takimin në Paris të Konfederatës së Tregtisë të BE-së kritikuan qeveritë që nuk bashkëpunojnë plotësisht për rehabilitimin e azilkërkuesve dhe kërkuan të hiqen “pengesat dhe bllokimet”.

XS
SM
MD
LG