Lidhje

Britania mbetet e përçarë dhe e polarizuar


Studimet e fundit tregojnë se Britania mbetet një vend i ndarë dhe i polarizuar, pas referendumit të vitit 2016 për largimin nga Bashkimi Evropian që nxori në pah, por edhe i theksoi, ndasitë e shoqërisë britanike. Përçarjet u shfaqën përtej vijave politike, në veçanti për sa i përket qëndrimit ndaj minoriteteve etnike në Britani.

Në vigjilje të votimit për largimin nga Bashkimi Evropian, kryeministrja e Britanisë tha se vendi po bashkohej.

“Vendi bashkohet drejt të ardhmes më të ndritur të një Britanie globale”, tha Kryeministrja May.

Në realitet, po ndodh e kundërta pas votimit të quajtur Brexit. Studiuesit thonë se zonja May po drejton një vend të ndarë.

“Përçarje ndërmjet qyteteve dhe fshatrave, ndërmjet veriut dhe jugut, ndërmjet vendeve të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar – Uellsi dhe Anglia votuan për largimin, Skocia dhe Irlanda e Veriut për të qëndruar – përçarje mes të rinjve dhe të moshuarve, ndërmjet njerëzve me arsim të lartë dhe atyre pa diploma. Doli një pah një krisje e re, ndërmjet atyre që duan largimin nga BE-ja dhe atyre që dëshirojnë të qëndrojnë”, thotë profesor Anand Menon, i programit “Britania në një Evropë që po ndryshon”.

Studiuesit identifikuan një tjetër ndasi të re: ata që votuan për largimin mendojnë se është tepruar me mundësitë e barabarta për minoritetet etnike, ndërsa ata që mendojnë se nuk është bërë mjaftueshëm në këtë drejtim patën një tendencë të fortë për të votuar për të qëndruar në BE.

Këto qëndrime të ndara nuk ndjekin vijat tradicionale partiake.

“Një kriter shumë i mirë për të parashikuar si do të kishit votuar për Brexit, është p.sh. nëse jeni pro apo kundër dënimit me vdekje. Kjo nuk ka të bëjë fare me politikën tradicionale, por me vlerat njerëzore”, thotë profesor Menon.

Sipas statistikave të qeverisë, sulmet ndaj grupeve etnike, të mbiquajtura krime urrejtjeje, janë rritur me 40% pas referendumit. Analistët thonë se kjo provon që referendumi pati domethënie shumë më të thellë se sa për thjesht anëtarësinë e Britanisë në BE.

“Referendumi na ka bërë të ndjehemi më të përçarë dhe ndoshta dhe të jemi vërtet më të përçarë se ç’kemi qenë më parë”, thotë profesor Menon.

Zoti Menon thotë se përçarja rreth vlerave njerëzore mund të jetë shpjegimi se pse britanikët nuk po japin shenja se mund të ndryshojnë mendim, megjithëse po rriten treguesit për kostot ekonomike ndaj Britanisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG