Lidhje

Papunësia në radhët e rinisë evropiane ushqen emigracion


Të rinjtë nga Evropa jugore që kanë emigruar për mundësi ekonomike nuk pritet të kthehen në vendet e tyre në një të ardhme të afërt. Mijëra vetë u larguan drejt vendeve të Evropës veriore pasi kriza e fundit ekonomike goditi rajonin. Ritmet e papunësisë në vende si Spanja, Greqia, Qiproja, Italia dhe Portugalia mbeten shumë të larta, në disa qytete nga 25-45%.

Roberta D’Amore u largua nga Italia në 2010. Ajo kishte mbaruar universitetin në 2010, por nuk kishte arritur të gjente punë me pagë të mirë apo sigurime shëndetësore.

Tani Roberta punon në Luksenburg në një agjenci rekrutimesh dhe nuk ka ndërmend të kthehet së shpejti në Itali. “Sa herë shkoj, e shoh që punët kanë shkuar më keq kur është fjala tek punësimi. Më vjen keq kur shoh që në vendin tim të rinjtë nuk gjejnë mundësi të fillojnë jetën”.

Shumë të rinj nga Evropa jugore kanë emigruar në vende si Britania, Gjermania, por edhe në vende më të vogla si Holanda dhe Belgjika.

Informaticieni Jorge Lima punon në Angli: “Në Portugali nuk ka punë në fushën time; këtu gjej punë interesante dhe paguhem dy herë më shumë se paga në vendin tim. Shumë portugezë largohen për të gjetur punë më të mira”.

Emigrim i Detyruar

Vetëm 3% e banorëve të vendeve anëtare të BE-së jetojnë në një vend tjetër evropian. Dallimet gjuhësore janë pengesa kryesore. Për vite me radhë BE-ja është përpjekur të nxisë lëvizjet e popullatës brenda kufijve të bllokut, por për evropianët lëvizja nuk është zgjedhje e preferuar. Shumë nga ata që kanë emigruar drejt vendeve veriore e shohin si një veprim të detyruar.

Garancia Rinore e BE-së, një nismë e Bashkimit Evropian për të ndihmuar të rinjtë nën moshën 25-vjeçare që të ndjekin studimet ose të gjejnë punësim cilësor, “nuk përmbush synimet e dëshiruara,” thuhet në një raport të nxjerrë këtë muaj nga një panel analistësh.

Matthias Busse është studiues në Qendrën për Studimet e Politikave Evropiane. Ai thotë se nisma kishte ndikim pozitiv, megjithëse numri i të rinjve të papunë mbetet i lartë.

“Është një pikë ujë në oqean, nuk ka shumë ndikim tek numri tepër i lartë i të rinjve që kanë nevojë për mbështetje. Në fund të fundit, çdo gjë varet nga mjedisi ekonomik në vend”.

Në Kërkim të Reformave

Allan Pall i Forumit të Rinisë Evropiane thotë se situata aktuale mund të rezultojë në një brez të humbur nëse nuk kryhen reforma.

“Kemi vërejtur se të rinjtë pranojnë punë të rrezikshme, punë të papaguara, punë pa kontratë të rregullt. Vende si Britania dhe Greqia e kanë bërë të ligjshme t’i paguash të rinjtë nën rrogën minimale, thjesht sepse janë të rinj në moshë,” thotë zoti Pall.

Një i ri spanjoll që kërkon punë në Bruksel thotë se nuk do të prezantohet me emër, pasi është në kërkim të një pune dhe mendon se për të është i vështirë punësimi pasi pronarët nuk të marrin në punë nëse nuk je shtetas belgë. Ai ka mbaruar studimet në gjuhësi, por në Belgjikë has në vështirësi nga dallimet kulturore dhe dialektore. Megjithatë, ai thotë se edhe nëse nuk gjen punë në fushën e tij, ai preferon të qëndrojë në Belgjikë.

“E kam diskutuar edhe me familjen skenarin që mund të mos gjej punë të mirë në Belgjikë. Megjithatë, ia vlen të qëndroj dhe të punoj si kamarier në Belgjikë, pasi rroga dhe kushtet janë më të mira se në Spanjë. Është një realitet trishtues”.

Dhoma Spanjolle e Tregtisë në Belgjikë ka ndihmuar qindra spanjollë të gjejnë punë në kompani belge si dhe në vendet përreth. Thuajse të gjithë aplikantët ishin nën 35 vjeç dhe 85% e tyre kishin mbaruar studimet universitare.

Ramon Lopez, i cili punon për Dhomën Spanjolle të Tregtisë në Belgjikë thotë se aktualisht në Spanjë ka shumë më tepër aplikantë të kualifikuar se vende të mira pune, prandaj do të jetë e vështirë që këta të rinj të punësuar në Belgjikë të kthehen së shpejti në atdhe. Ai thotë se shumë nga projektet publike që po hap Spanja tani kanë për synim të ndalin rrjedhjen e trurit nga vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG