Lidhje

Indeksi i Censurës: BE, dobët me fjalën e lirë


Një raport i ri thotë se Bashkimi Evropian nuk po arrin të respektojë si duhet vlerat më të rëndësishme të demokracisë, si lirinë e shprehjes, dhe të kufizojë ndërhyrje të tepruara në këto liri, si për shembull përgjimet qeveritare si nga brenda dhe jashtë bllokut. Indeksi mbi Censurën u publikua dje në Londër.

Indeksi fajëson Bashkimin Evropian me 28 anëtarë dhe organin e tij ekzekutiv Komisionin Evropian, se nuk po justifikon me fakte retorikën e tij për fjalën e lirë.

Studimi ofron një numër shembujsh, përfshirë çështjen më të bujshme të vitit, rastin e amerikanit Edward Snowden i cili nxori sekrete mbi programin e përgjimit të qeverisë amerikane në Evropë e më tej.

Vendet evropiane jo vetëm që nuk pranuan t’i japing strehim politik Snowdenit, thotë Drejtori i organizatës Mike Harris i cili është autor i raportit, por gjithashtu nuk mbrojtën si duhet median evropiane, si gazetën britanike The Guardian, e cila shkroi për sekretet e nxjerra nga Snowden:

"Nuk ka pasur një përpjekje të mirëfilltë nga BE-ja në mbrojtje të privacisë; nuk u ndalën të thonin “Prit pak, roli dhe aspiratat e Bashkimit Evropian janë në mbrojtje të privacisë dhe rëndësisë që ka komunikimi për të mbrojtur lirinë e shprehjes”.

Raporti bën një analizë të gjerë, përtej çështjesh Snowden. Ai ofron një formë vlerësimi që i rendit vendet skandinave si Suedia dhe Finlanda në krye të listës, ndërsa vende si Rumania dhe Hungaria në fund.

Indeksi kritikon gjithashtu Komisionin Evropian që nuk i ka bërë një mbrojtje më të fortë fjalës së lirë në vende anëtare të BE-së si Hungaria, si dhe në vende jo anëtare si Azerbajxhani apo në vendet e përfshira nga Pranvera Arabe.

"Bashkimi Evropian nuk e ka shfrytëzuar autoritetin e tij si blloku më i madhe tregtar në botë, si një fuqi ekonomike, si dhe diplomacinë e butë për të luftuar për të drejtat e qytetarëve kudo që ndodhen”.

Në ato raste kur Evropa ka ngritur zërin, thotë zoti Harris, rezultati ka qenë i dukshëm:

"Për shembull në Bjellorusi, ka vendosur sanksione ndaj disa prej figurave më të njohura në regjimin bjellorus për shtypjen e këtyre të drejtave. Ky mesazh i fortë në adresë të Presidentit Alexander Lukashenko ishte një ndër arsyet kryesore që u realizua lirimi i afro gjysmës së të burgosurve politikë që ishin arrestuar në 2010”.

Zyrtarët e BE-së nuk u janë përgjigjur ende kërkesave me telefon dhe email për komente. Por komisionerë të BE-së si Viviane Reding kanë ngritur zërin shpesh here në mbrojtje të lirisë së medias. Në zhvillime të tjera, Parlamenti Evropian ka votuar për të ftuar Edward Snowdenin për të dëshmuar mbi programet amerikane të përgjimit dhe grupimi i gjelbër i Parlamentit e ka propozuar Snowdenin për Cmimin Sakharov, nderimi më i lartë në Evropë për të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG