Lidhje

Ngërçi politik amerikan dhe tregjet evropiane


Tregjet financiare të Londrës u hapën sot në një klimë shqetësimesh për shkak të ngërçit politik në Uashington lidhur me tavanin e borxhit. Megjithatë, një falimentim financiar në SHBA lidhur me tavanin e borxhit nuk shihet si i mundshëm nga tregjet evropiane.

Michael Ingram, analist i firmës BGC Partners tha se mundësia që SHBA të mos jenë në gjendje të paguajnë detyrimet financiare duket gati e pabesueshme për agjentët e bursës, prandaj në operacionet e tyre ata nuk e marrin parasysh një mundësi të tillë.

"Ata mendojnë se një falimentim financiar do të kishte pasoja aq të mëdha saqë do të ishte katastrofik për sistemin financiar global, prandaj thjesht nuk ka për të ndodhur," thotë zoti Ingram.

Ndërkohë, tregjet gjermane këtë javë janë përqendruar tek të dhënat negative të eksportit nga Kina si dhe tek çështja e tavanit të borxhit në Shtetet e Bashkuara.

Arthur Brunner, analist i firmës ICF Kursmakler AG, tha se në qoftëse në Uashington nuk arrihet së shpejti marrëveshje, pasojat do të ishin tejet të rënda.

"Mendoj se brenda muajit do të kishim një krizë të tregut, sepse bonot amerikane të thesarit do të zhvlerësoheshin," thotë analisti.

Shqetësimet për një falimentim të mundshëm financiar në SHBA hodhën një hije pasigurie mbi takimet e fundjavës mes udhëheqësve të financave nga e gjithë bota në Uashington. Por ato përfunduan me një farë shprese rreth shënjave se ekonomia si në SHBA edhe në Evropë po del nga përgjumja e gjatë.
XS
SM
MD
LG