Lidhje

Evropianët mund të rivendosin sanksionet ndaj Iranit


Vendet evropiane do t’i rivendosin sanksionet kundër Iranit nëse ai refuzon angazhimet e marra në bazë të marrëveshjen së tij bërthamore, tha të martën një burim i presidencës franceze.

Komentet vijnë pas deklaratave të Teheranit, i cili tha se do të ulte nivelin e respektimit të marrëveshjes, tani që Uashingtoni është tërhequr prej saj.

Irani e quajti lajm i vjetër një njoftim të SHBA për dislokimin e një aeroplanmbajtëseje në Lindjen e Mesme, duke thënë se lajmi ishte i ricikluar për luftë psikologjike.

Tensionet janë rritur në prag të përvjetorit të tërheqjes së Presidentit Donald Trump nga marrëveshja bërthamore, në bazë të së cilës Irani binte dakord të kufizonte programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Administrata Trump i ka rivendosur sanksionet dhe i ka zgjeruar ato, në thelb duke u kërkuar vendeve të botës të ndalojnë blerjen e naftës iraniane përndryshe do të përballen me sanksione. Irani ka vazhduar t’i përmbahet marrëveshjes.

Aleatët europianë të Uashingtonit, të cilët e kundërshtojnë tërheqjen e SHBA nga marrëveshja, janë përpjekur por nuk kanë arritur të gjejnë rrugë për të zbutur ndikimin ekonomik të këtij hapi të SHBA. Ndërkohë ata po i bëjnë thirrje Iranit që të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes.

Mediat iraniane njoftojnë se Teherani do t'u dërgojë të mërkurën letra vendeve që ende janë të lidhura me marrëveshjen – aleatëve të SHBA, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe Rusisë dhe Kinës - për t'u dhënë hollësi rreth planeve për "uljen e angazhimeve të tij" që parashikohen në marrëveshje.

Njoftimet nga Irani thonë se Teherani nuk planifikon të tërhiqet nga marrëveshja, por do të rifillojë disa aktivitete bërthamore që u ndalën pas nënshkrimit të saj.

Burimi presidencial francez tha se vendet evropiane ende nuk dinë saktësisht se çfarë hapash po planifikon Irani, por ato do të duhet të rivendosin sanksionet mbi Iranin nëse këto hapa do të ishin baras me heqjen dorë nga marrëveshja.

"Ne nuk duam që Teherani të njoftojë nesër veprime që shkelin marrëveshjen bërthamore, sepse në këtë rast ne evropianët do të detyroheshin të ri-vendosnin sanksionet sipas kushteve të marrëveshjes", tha burimi.

Zyrtarët e SHBA kanë folur ditët e fundit për informacione zbulimi që lënë të kuptohet se nga Irani po vjen një kërcënim ushtarak, edhe pse nuk kanë dhënë hollësi.

Këshilltari amerikan i Sigurimit Kombëtar, John Bolton tha të dielën se Shtetet e Bashkuara po dislokonin aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln dhe një grup bombardues në Lindjen e Mesme si paralajmërim për kërcënimet e forcave iraniane.

Por Keyvan Khosravi, zëdhënës i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha se Abraham Lincoln ishte tashmë në Gjirin Persik dhe e quajti njoftimin një përpjekje për të ricikluar lajmet e vjetra për "luftë psikologjike".

Shtetet e Bashkuara zakonisht dërgojnë me rotacion një aeroplanmbajtëse në Gjirin Persik për të shërbyer si anije kryesore e flotës së saj të pestë me bazë në Bahrein.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG