Lidhje

Evropianët dhe Rusia i bëjnë thirrje Senatit amerikan të ratifikojë traktatin START


Evropianët dhe Rusia i bëjnë thirrje Senatit amerikan të ratifikojë traktatin START
Evropianët dhe Rusia i bëjnë thirrje Senatit amerikan të ratifikojë traktatin START

Evropianët bënë thirrje për ratifikimin sa më parë të traktatit të ri për armët bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Lisbonë. Ndërkohë, njoftohet se Moska mund të fillojë të punojë me NATO-n për sistemin e mbrojtjes nga raketat. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Brajant na sjell hollësi nga kryeqyteti i Portugalisë.

Pasi mori mbështetje të fuqishme nga partnerët e NATO-s për traktatin START, krahas mbështetjes nga figura të shquara ushtarakw dhe ish zyrtarë të administratës, Presidenti Barak Obama u tha gazetarëve në Lisbonë se nuk ka asnjë arsye të fortë se pse Senati i Shteteve të Bashkuara të mos e ratifikojë traktatin.

"Dhe unë shpresoj se ne do ta bëjmë këtë. Nuk ka asnjë arsye tjetër për të mos e bërë, përveç faktit se Uashingtoni është bërë një vend tejet i politizuar dhe kjo është një çështje klasike që ne duhet të qendrojmë mbi politikën partiake”.

Senatorët republikanë kanë hezituar ta mbështesin marrëveshjen dhe ligjvënësit kryesorë republikanë kanë thënë se u duhet më shumë kohë të mendohen. Por disa vende evropiane, sëbashku me Rusinë, thonë se është me rëndësi kritike që traktati të ratifikohet në kohën e duhur. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, paralajmëroi se sigurimi evropian është në rrezik.

Zoti Rasmusen njoftoi gjithashtu se Rusia kishte rënë dakord se do të bashkëpunojë me NATO-n për mbrojtjen nga raketat. Ai e quajti marrëveshjen një pikë kthesë në marrëdhënit dikur armiqësore mes NATO-s dhe Rusisë, të cilat kohët e fundit u tensionuan lidhur me çështjen e Gjeorgjisë.

"Përfitimet praktike janë të qarta. Duke shkëmbyer informacionin që ne kemi për një hapësirë më të gjerë ajrore mbi Evropë, ne marrim më tepër paralajmërime dhe kështu ka shumë të ngjarë të bashkëpunojmë më mirë për të interceptuar raketat që mund të drejtohen kundër nesh".

Në deklaratat që bëri më pas për shtypin, Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, nuk u shpreh në mbështetje të plotë të sistemit Evropë-SHBA të mbrojtës nga raketat që do të mbronte Evropën nga sulmet e mundëshme nga Irani.

Zoti Medvedev tha se Rusia pret të mësojë më shumë hollësi për mbrojtjen nga raketat dhe do të bashkëpunojë vetëm si partnere me të drejta të plota.

Për një çështje tjetër, Presidenti Obama nuk e përjashtoi krejtësisht praninë luftarake amerikane në Afganistan pas vitit 2014, megjithë marrëveshjen e NATO-s pët t’i dorëzuar të gjitha përgjegjësitë e sigurimit të vendit afganëve deri në fund të atij viti.

"Me siguri që prania jonë do të jetë pakësuar ndjeshëm. Por është vështirë të parashikohet se çfarë do të jetë e nevojshme për të ruajtur sigurinë e popullit amerikan pas 2014. Unë do ta marr atë vendim kur të vijë koha”.

Zoti Obama priti me kënaqësi angazhimet e reja të partnerëve të NATO-s për të dërguar instruktorë, disa prej të cilëve nga Kanadaja dhe Italia, për të stërvitur më mirë forcat afgane të sigurimit. Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të organizojnë takimin e ardhshëm të NATO-s në vitin 2012.

XS
SM
MD
LG