Lidhje

BE shtyn marrjen e vendimit për Sirinë


Vendimi lidhet me nismën e Britanisë dhe Francës për të armatosur rebelët sirianë në luftën kundër trupave qeveritare

Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian shtynë sot marrjen e një vendimi lidhur me nismën e Britanisë dhe Francës për të armatosur rebelët sirianë në luftën e tyre kundër trupave qeveritare, ndërsa Siria shënoi 2 vjetorin e fillimit të luftës civile.

Pas bisedimeve në Bruksel, Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy tha se udhëheqësit e BE-së diskutuan mbi lehtësimin e embargos për të lejuar furnizimin me armë të rebelëve sirianë. Por ai shtoi se udhëheqësit kishin rënë dakord që kjo çështje të shqyrtohet përsëri nga ministrat e tyre të jashtëm javën e ardhshme nënjë takim në Dublin.

Embargoja e Bashkimit Evropian aktualisht i ndalon vendet anëtare të furnizojnë me armë opozitën siriane. Kjo embargo përfundon në muajin maj. Disa vende anëtare kanë shprehur shqetësim se vërshimi i armëve në Siri vetëm do të acaronte gjakderdhjen.

Franca tha dje se është e gatshme të bashkëpunojë me Britaninë për të ndihmuar në armatosjen e rebelëve sirianë, edhe pse nuk ka ndonjë marrëveshje me vende të tjera për t’u çuar atyre armë.
Në një intervistë dje, Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius tha se Franca dhe Britania duan që BE-ja të zhvillojë një takim urgjent për të diskutuar mbi heqjen e embargos dhe që bisedimet për këtë çështje të mbahen para fundit të muajit.
XS
SM
MD
LG