Lidhje

Rrjetet Facebook dhe Twitter, mbyllin llogari nga Irani e Rusia


Rrjetet sociale, Facebook dhe Twitter, thanë se kanë mbyllur qindra faqe dhe llogari të lidhura me Rusinë dhe Iranin, para zgjedhjeve të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Facebook-u tha se ka mbyllur 254 faqe dhe 116 llogari në Instagram, që ishin pjesë e një fushate dezinformimi që kishin vënë në shënjestër vende të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Kompanitë e medieve sociale vepruan në bazë të një informacioni nga kompania e sigurisë kibernetike, FireEye, e cila tha të martën se llogaritë po promovonin propagandën iraniane, duke përfshirë diskutimin e "temave anti-saudite, anti-izraelite dhe pro-palestineze".

"Kemi hequr 652 faqe, grupe dhe llogari për sjellje të bashkërenduara jo autentike që kanë origjinën në Iran dhe u drejtoheshin njerëzve nëpërmjet shërbimeve të shumta në internet në Lindjen e Mesme, Amerikën Latine, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtete e Bashkuara", tha Nathaniel Gleicher, kreu i politikës së sigurisë kibernetike në Facebook.

Këto veprime ndodhën disa javë pasi që kompania mbylli disa faqe me prejardhje nga Rusia. Të martën, Facebook-u tha se kishte gjetur më shumë faqe të tilla dhe i kishte mbyllur ato. Por, kompania tha se faqet ruse nuk duket të jenë të lidhura me ato me prejardhje nga Irani.

Po ashtu të martën, rrjeti Twitter tha se ka identifikuar dhe mbyllur 284 llogari "për përfshirje në manipulim të bashkërenduar", që siç thuhet, "duket të jenë me prejardhje nga Irani".

Një ditë më herët kompania Microsoft njoftoi se hakerë që kanë lidhje me qeverinë e Rusisë u përpoqën të sulmojnë faqet e internetit të dy institucioneve konservatore amerikane, një shenjë se ata po i shtojnë përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit.

Kompania Microsoft tha se i pengoi përpjekjet javën e kaluar duke marrë kontrollin e faqeve që hakerët kishin vënë në shënjestër me synimin për të imituar faqet e internetit të Institutit Ndërkombëtar Republikan dhe Institutit Hudson.

Hakerët i ridrejtonin përdoruesit në adresa të rreme, ku pastaj u kërkohej të fusnin emrin dhe fjalëkalimin.

Autoritetet ruse nuk kanë komentuar rreth këtij rasti. Kremlini i ka hedhur poshtë rregullisht akuzat se përdor hakerët për të ndikuar në zgjedhjet dhe opinionin politik amerikan. Moska thotë se akuza të tilla janë pjesë e një fushate anti-ruse për të arsyetuar sanksione të reja kundër Rusisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG