Lidhje

Kosova në ditë zie pas humbjes së Fadil Vokrrit


E diela në Kosovë është ditë zie në nderim të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili u varros pasdite në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Gjatë ditës në parlamentin e Kosovës u mbajtën homazhe në nderim të tij. Pjesë e homazheve ishte edhe presidenti shqiptar, Ilir Meta.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ndërroi jetë një ditë më parë pas një arresti kardiak.

I lindur më 23 korrik 1960 në Podujevë, një qytet rreth 35 kilometra në veri të Prishtinës, zoti Vokrri llogaritet si një nga futbollistët më të mirë të Kosovës.

Ai ishte pjesë e klubit futbollistik Prishtina gjatë viteve 80-të, me ndihmën e të cilit klubi Prishtina u inkuadrua në ligën e parë të ish-Jugosllavisë. Në vitin 1986 u transferua në klubin futbollistik FK Partizan ndërsa luajti edhe për klube të Turqisë dhe Francës.

Nga viti 1984 deri në vitin 1987, Fadil Vokrri përfaqësoi ish-Jugosllavinë në skenën ndërkombëtare, ndërsa në Lojrat Olimpike Dimërore të vitit 1984 në Sarajevë, ai barti flamurin në ceremoninë e hapjes. Në vitin 1987 ai u votua si lojtari më i mirë i ish-Jugosllavisë.

Fadil Vokrri udhëhiqte Federatën e Futbollit të Kosovës që nga viti 2008.

Udhëheqës institucionesh e partish politike ngushëlluan familjen e zotit Vokrri, duke e cilësuar atë si humbje të madhe për sportin e Kosovës. Në një mbledhje përkujtimore, udhëheqësit politikë e vlerësuan lartë personalitetin e Fadil Vokrrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG