Lidhje

Energjia nga era në Falkland


Energjia e erës siguron më shumë se një të tretën e furnizimit me energji elektrike për Port Stanly-n, duke e bërë kryeqytetin e Ishujve Falkland një nga rajonet më miqësore për energjinë e pastër në botë.

Duke llogaritur erërat e fuqishme, ky komunitet i Atlantikut të Jugut tani shpreson ta zhvillojë edhe më tej këtë mundësi për prodhimin e energjisë së pastër dhe të ulë varësinë nga importet e shtrenjta të naftës.

Ishujt Falkland, një rajon që shpesh përshkruhet si një nga më të izoluarit në botë, e ka luftuar për një kohë të gjatë importimin e lëndëve djegëse për plotësimin e nevojave energjetike të banorëve në zonat e largëta rurale.

Vitet e fundit, janë studiuar alternativat e larmishme të prodhimit të energjisë së pastër në përpjekje për shfrytëzuar mjedisin natyror të këtij arkipelagu të Atlantikut të Jugut.

Me zbulimin e burimeve alternative të energjisë së pastër, me kosto të ulët dhe që gjendet me sasi të mëdha, qeveria e Ishujve Falkland ka patur mjaft sukses në prodhimin e energjisë nga era.

Instalimi i tri turbinave të erës në vitin 2007 i dha një shtytje prodhimit të energjisë së erës në Port Stanley, duke e bërë kryeqytetin e Ishujve Falkland një nga rajonet me nivelin më të lartë të prodhimit të energjisë së pastër në botë.

Vitin e kaluar, rreth 9.6 kilometra jashtë Port Stanley-t u instaluan edhe tre turbina të tjera të cilat ndihmuan në rritjen e prodhimit të energjisë për përmbushjen e mbi 33 për qind të nevojave të ishullit.

Kreu i rrjetit të energjisë, Glenn Ross, thotë se ndërkohë që projekti po tregon rezultate jashtëzakonisht të mira ata kanë plane për rritjen e mëtejshme të prodhimit të energjisë nga era.

“Ne filluam me mbulimin e rreth 20 për qind të nevojave tona dhe tani energjia e erës plotëson një të tretën e nevojave për energji, por kjo do të thotë se disa javë ne plotësojmë 45 për qind të nevojave dhe javëve të tjera 29 për qind, pra në këtë mënyrë mesatarisht plotësojmë një të tretën e nevojave. Jemi të kënaqur me këtë nivel prodhimi, por duam të shtojmë më tej”.

Kundërshtarët e prodhimit të energjisë së erës thonë se thjesht nuk ka erë të mjaftueshme për të rritur prodhimin, por fermat e erës në Sandy Bay provojnë të kundërtën.

Rritja e prodhimit të energjisë, ndërkohë që shpejtësia e erërave arrin në 54 kilometra në orë paraqet një sfidë të madhe për zotin Ross dhe kolegët e tij. Së bashku me prodhuesit gjermanë të turbinave dhe të sistemit të menaxhimit të tyre ata kanë gjetur një mënyrë të veçantë që u mundëson të menaxhojnë luhatjet në shpejtësinë e erës.

Ndryshimet teknologjike që ata janë duke bërë kanë përmirësuar sistemin e prodhimit të enegjisë, një model që po gjen mbështetje globale. Operatorët e stacionit të prodhimit të energjisë thonë se çdo 17 kilovat energji e prodhuar nga turbinat eliminon përdorimin e 3.7 litrave naftë. Ky është një lajm i mirë për qeverinë, e cila po bën përpjekje të mëdha për të pakësuar varësinë nga importet e shtrenjta të naftës.

Megjithatë nafta vazhdon të jetë burimi kryesor i energjisë në arkipelag.
Një sistem menaxhimi që kombinon punën e gjeneratorit me naftë dhe turbinave me erë është vendosur në stacionin kryesor të prodhimit të energjisë në qendër të Port Stanley-t.

Disa projekte të reja qeveritare do ta bëjnë këtë rajon të largët një qendër të rëndësishme globale për prodhimin e energjisë nga era. Një nga planet më të reja është ndërtimi i nje ferme të re të prodhimit të energjisë me tre turbina për të furnizuar bazën e trupave ushtarake britanike Mount Pleasant. Objekti do të jetë në pronësi të qeverisë dhe energjia e prodhuar aty do t’u shitet forcave britanike.

Prodhimi i energjisë së pastër për këtë komunitet të përbërë nga një mijë e treqind ushtarakë britanikë vazhdon të ndihmojë nismën për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për mbrojtjen e mjedisit në këta ishuj.

Në një shkallë më të vogël, shumica dërrmuese e fermave në komunitetet bujqësore tani furnizohen 24 orë me energji nga burime të ripërtëritshme. Qeveria e Ishujve Falkland ka në plan të bëhet një shembull global i prodhimit të energjisë së pastër.
XS
SM
MD
LG