Lidhje

FBI: Shtohen krimet e urrejtjes në SHBA


Një pankartë me temën "Më të fortë se urrejtja" shëaloset gjatë një ndeshjeje në Pensilvani.

Numri i krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara u rrit 17 përqind vitin e kaluar, rritja më e madhe që nga viti 2001, kur sulmet terroriste të 11 shtatorit nxitën një shtim të sulmeve ndaj amerikanëve me prejardhje myslimane dhe arabe.

Agjencitë e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara raportuan një total prej 7,175 krimesh të urrejtjes për vitin 2017, nga 6,121 në vitin 2016, tha FBI në raportin vjetor për krimet e urrejtjes të publikuar të martën. Rreth 5,000 nga incidentet e raportuara cilësohen si krime kundër personit, të tilla si sulme apo kërcënime.

Raporti flet për një dyfishim të krimeve të urrejtjes anti-arabe dhe për një shtim dyshifror të incidenteve antisemite.

Prokurori i Përgjithshëm i detyrë i sapoemëruar, Matt Whitaker, e quajti raportin "një thirrje për veprim" dhe tha se Departamenti i Drejtësisë “do ta mbajë parasysh këtë thirrje".

"Jam veçanërisht i shqetësuar nga rritja e krimeve anti-semite të urrejtjes, të cilat ishin edhe më parë krimet e urrejtjes fetare më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, çka dokumentohet mirë në këtë raport," tha zoti Whitaker në një deklaratë. "Populli amerikan duhet të jetë i sigurt se ky Departament ka ndërmarrë tashmë veprime të rëndësishme dhe agresive kundër këtyre krimeve dhe se ne do t'i mbrojmë me forcë dhe në mënyrë efektive të drejtat e tyre".

FBI-ja e përcakton krimin e urrejtjes si një "vepër penale kundër një personi ose një prone të motivuar tërësisht ose pjesërisht nga subjektivizmi i atij që e kryen atë ndaj një race, feje, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual, etnisë, gjinisë apo identitetit gjinor".

Shumica dërrmuese e krimeve të urrejtjes ndiqen ligjërisht në gjykatat shtetërore, ku prokurorët federalë zakonisht akuzojnë një deri në 24 të pandehur për krime të urrejtjes sipas statuteve të ndryshme federale të krimit të urrejtjes. Në vitin 2018, Departamenti i Drejtësisë paraqiti 22 raste të tilla, sipas një zëdhënëseje.

Shtimi i krimeve të urrejtjes në vitin 2017 ishte kryesisht i nxitur nga paragjykime racore dhe fetare.

Raca vazhdon të jetë faktori kryesor që nxiti krimet e urrejtjes në vitin 2017, gjatë të cilit pati 4,832 incidente të motivuara nga raca, përkatësia ose prejardhja etnike. Gjysma e të gjitha incidenteve me motive racore kishin të bënin me afrikano-amerikanët. Ato me motive anti-latino ose anti-hispanike përbënin gati 11 për qind të incidenteve me bazë racën. Krimet anti-arabe të urrejtjes, megjithëse përbënin një fraksion të të gjitha krimeve të urrejtjes me bazë racore, u dyfishuan, duke arritur në 102 incidente.

Feja ishte motivi i dytë më i madh i krimeve të urrejtjes, me 1,679 incidente të raportuara nga agjencitë ligjzbatuese. Në më shumë se 900 incidente, krimet anti-semite të urrejtjes përbënin 58 për qind të të gjitha krimeve të urrejtjes me motive fetare.

Numri i krimeve të urrejtjes ndaj myslimanëve ra në 273 incidente nga 314 që ishte në vitin 2016, por niveli mbeti shumë mbi mesataren historike. Në vitin 2015 dhe 2016, krimet anti-myslimane u rritën me gati 90 për qind, të nxitura nga një reagim ndaj sulmeve terroriste në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara dhe retorikës politike anti-myslimane.

"Njolla e krimit të urrejtjes vazhdon të dëmtojë komunitetet në qytetet dhe shtetet kudo në vend", tha Maya Berry, drejtoreshë ekzekutive e Institutit Arabo-Amerikan. "Të dhënat e FBI-së konfirmojnë realitetin që ne të gjithë e dimë: urrejtja po rritet në Amerikë".

Raporti i FBI-së mendohet se nuk e pasqyron plotësisht nivelin e vërtetë të krimit të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara. Kjo pjesërisht sepse të dhënat bazohen në raportime vullnetare të agjencive ligjzbatuese, shumica e të cilave zakonisht nuk i raportojnë incidentet e urrejtjes. Më shumë se 16,000 agjenci ligjzbatuese morën pjesë në mbledhjen e të dhënave të FBI-së, por vetëm 2,000 prej tyre raportuan për krime të urrejtjes.

Në një deklaratë, Instituti Arabo-Amerikan vuri në dukje se raporti nuk ka përfshirë tre nga "aktet më të tmerrshme të dhunës së motivuar nga paragjykimet" të raportuara vitin e kaluar, ku hyjnë vrasja e Heather Heyer në 12 gusht gjatë një tubimi të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias; goditja fatale me thikë e dy personave që u përpoqën të përballeshin me një dikë që hidhte fyerje racore ndaj një gruaje të veshur me hixhab dhe dhe mikut të saj në një tren në Portland; dhe vrasja e dy indianë në Olejth të Kansasit.

"Të dhënat e FBI-së dhe ajo që mungon aty, tregojnë gjithashtu se sistemi i raportimit të krimit të urrejtjes që kemi nuk po i përgjigjet sa duhet kësaj dukurie," tha zonja Berry në një deklaratë.

Raporti për vitin 2017 publikohet vetëm dy javë pas ngjarjes në një sinagogë të Pitsburgut në Pensilvani, ku një person vrau 11 vetë dhe plagosi gjashtë të tjerë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG