Lidhje

Ndarja nga prindërit mund të shkaktojë dëm afatgjatë tek fëmijët


Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për t’i mbajtur të bashkuar fëmijët me prindërit në kufijtë jugperëndimorë të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, mbi 2 mijë fëmijë vazhdojnë të jetojnë në kampe pa prindërit e tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, mjekët dhe punonjësit e shëndetit mendor janë të shqetësuar se disa prej këtyre fëmijëve mund të vuajnë dëme të përhershme.

Kjo është ëndrra e çdo prindi të ndarë nga fëmijët në kufirin amerikan. Për këtë nënë nga Guatemala, ëndrra e saj u bë realitet të premten, kur u ribashkua me djalin e saj. Ata ishin ndarë për një muaj.

Pamjet filmike të publikuara nga qeveria tregojnë fëmijët që mbahen nëpër kafazë, por edhe në tenda dhe strehëza, si p.sh. në shtetin Oregon. Fotot e fëmijëve që jetojnë këtu nuk lejohet të publikohen.

Doktorët paralajmërojnë për mundësinë e dëmtimeve të përhershme të shkaktuara nga ndarja prej prindërve.

“Mund të duhet një kohë e gjatë për shërimin e kësaj traume dhe të këtyre fëmijëve”, thotë dr. Colleen Kraft, presidente e Shoqatës Amerikane të Pediatrisë.

“Shumë fëmijë më kanë rrëfyer se ndjejnë ftohtë, nuk hanë mjaftueshëm, ndërkohë që nuk kanë mbështetjen e prindërve apo të rriturve; diçka që i ka trazuar shumë”, thotë dr. Lisa Fortuna, psikiatre në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Bostonit.

Myriam Goldin kuron fëmijët e traumatizuar në Institutin Gil për Traumën, Shërimin dhe Arsimimin.

“Kur e përkund një fëmi në krahë, të dëgjon rrahjet e tua të zemrës. Ti gjithashtu ndjen rrahjet e zemrës së fëmijës, dhe përmes këtij ndërveprimi, fëmija qetësohet”, thotë zonja Goldin.

Nga prekja e prindit, fëmija mëson se merr kujdesin dhe dashurinë.

“Është sfidë vërtet e rëndë për fëmijët më të vegjël, të cilët nëse nuk kanë kontakt fizik dhe angazhim, mund të mbërthehen nga dëshpërimi dhe të pësojnë pasoja depresioni, pa patur mbështetjen e një të rrituri”, thotë dr. Lisa Fortuna.

Pa këtë mbështetje, fëmijët nuk mësojnë dot si të ndërveprojnë me të tjerët. Ata humbasin aftësinë për t’u besuar të tjerëve. Ata mund të mbyllen në vetvete dhe madje të mos tregojnë shenja gëzimi as pasi ribashkohen me prindërit e tyre.

“E dimë nga studimet shkencore se nëse nuk përmbushen nevojat e fëmijëve në moshë të mitur, ato çojnë në probleme afatgjata, jo vetëm të shëndetit mendor, por edhe të tjera probleme shëndetësore”, thotë zonja Goldin.

Ndoshta jo çdo fëmijë do të ketë pasoja të përhershme shëndetësore, por fëmijët më të vegjël janë më të prekshmit, dhe ndarja e tyre nga prindërit mund të shumëfishojë stresin që u kanë shkaktuar kushtet e rënda të vendeve nga të cilat janë larguar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG