Lidhje

Ferguson, një vjetori i vrasjes së M. Brown-it


Qyteti Ferguson, në shtetin Mizuri, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes një vit pas vrasjes së 18-vjeçarit zezak të paarmatosur Michael Brown, prej një polici të bardhë. Zyrtarët shpallën gjendjen e emergjencës, por nuk u parandaluan dot përplasje të tjera ndërmjet demonstruesve dhe policisë për të dytën natë rrjesht.

Ndërkohë që vjen nata në Ferguson të Mizurit, tensioni ndërmjet demonstruesve dhe policisë, rritet sërish.

Dhjetëra protestues nuk iu bindën urdhërave të policisë që të mos qëndronin në rrugë dhe madje ndaluan trafikun në autostradën që u bë skenë e përleshjeve dhe grabitjeve vitin e kaluar. Ndërkohë që rritet ankthi në këtë përvjetor të parë të vrasjes së Michael Brown, shumë njerëz në turmën e vendosur afër vendin ku ai u vra, ndjeheshin të fuqizuar prej kësaj vetëdijeje.

“Thonë se ajo çfarë po bëjmë ne është e tepruar, por vdekja e Michael Brown-it risolli në dritë një çështje që mbahej në errësirë. Prandaj më pëlqen. Është e fuqishme.”

“Mendjet e aktivistëve dhe të protestuesve kanë ndryshuar shumë. Është sikur shumë prej nesh të jenë zgjuar në një mënyrë që nuk e kishin imagjinuar më parë.” Thotë Tiffany.

Sa për ndryshimin që pritej, shumë gjëra nuk kanë ndryshuar ende.

“Nuk ka ndryshuar shumë mënyra se si policia sillet me ne.”

Prezenca policore u përforcua në Ferguson një natë pasi policët u qëlluan me armë dhe për pasojë plagosën dhe arrestuan një të dyshuar. Situata e emergjencës u shpall për të shmangur dhunën e mëtejshme.

Njerëzit në turmë nuk janë aq të shqetësuar.

“Do ketë dhunë. Ne nuk jemi dakort me dhunën, por ajo do të ndodhë.”

“Kur ke kaq shumë njerëz në rrugë, është e pashmangshme.”

Ndërkohë që qëlloheshin me shishe dhe gurë, policia mundohej të largonte njerëzit nga rruga dhe të lironte trafikun.

“Është shumë më butë se vitin e kaluar. Vjet nuk pritej të dilnin kaq shumë njerëz, prandaj është më pak dramatike këtë radhë. Është më pozitive, më e fuqishme.”

Policia ka bërë thirrje për qetësi ndërkohë që pritet të vazhdojnë protestat.

XS
SM
MD
LG