Lidhje

Guvernatori dërgon Gardën Kombëtare në Ferguson


Avokatët e familjes së adoleshentit afrikano-amerikan Michael Brown thonë se një autopsi paraprake arriti në përfundimin se i riu i paarmatosur po “përpiqej të dorëzohej” kur një oficer policie, i bardhë, e qëlloi për vdekje fundjavën e kaluar në Ferguson të shtetit Mizuri.

Në një konferencë për shtyp të hënën, avokati i familjes, Benjamin Crump tha se familja Brown kishte kërkuar autopsinë e pavarur para se Departamenti i Drejtësisë të njoftonte se do të kryente një autopsi nga një mjek ligjor federal.

Avokatët dhe dy ekspertë mjekësorë u thanë gazetarëve se plagët në kokë mbështesin deklaratat e dëshmitarëve se Brown e kishte kokën ulur dhe ishte duke u dorëzuar kur ofirceri Darren Wilson e goditi. Avokati i familjes Brown, Daryl Parks bëri sot thirrje për ngritjen e akuzave kundër policit që aktualisht është i pezulluar.

Ndërkohë guvernatori i shtetit të Mizurit ka urdhëruar trupa të Gardës Kombëtare të shkojnë në Ferguson, pas një jave protestash që disa herë janë shoqëruar me dhunë, shkaktuar nga vrasja e të riut afrikano-amerikan.

Guvernatori Jay Nixon autorizoi dislokimin sot herët në mëngjes pas një raundi tjetër përleshjesh mes policisë dhe protestuesve që kanë dalë në rrugë pothuajse çdo natë që pas vdekjes së 18 vjeçarit Michael Brown.

Të djelën policët me jelekë anti-plumb, maska gazi dhe automjete të blinduara përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë njerëzish që po përpiqeshin të marshonin drejt tyre.

Komandanti i policisë rrugore të Mizurit, Kapiteni Ron Johnson, të cilin guvernatori Nixon e caktoi të drejtojë operacionet e sigurisë në Ferguson javën e kaluar, i tha gazetarëve se disa nga protestuesit, që po merrnin pjesë në një marshim mesa dukej paqësor, po shkelnin territorin e një post-blloku sigurie.

“Sot, e diela filloi me lutje, mesazhe bashkimi, paqeje dhe drejtësie. Por kur ra errësira, gjendja ndryshoi. U hodhën shishe me benzinë, pati të shtëna, plaçkitje, vandalizëm dhe akte të tjera dhune që duket qartë që nuk ishin spontane, por akte të paramenduara dhune, që synonin dëmtime objektesh, lëndimin e njerëzve dhe provokim. Nuk ishte mosbindje civile, por trazira dhe agresion i planifikuar, në shumë raste i bashkërenduar”.

Kapiteni Johnson tha se zjarr ishte hapur zjarr edhe ndaj policisë, por asnjë polic nuk ishte plagosur.

Por protestuesit që merrnin pjesë në marshim, i mohuan të indinjuar njoftimet për akte dhune para se policia të përdorte gaz lotsjellës.

“Ne po ecnim dhe ishim gati të uleshim në gjunjë në qendrën e kontrollit, që të mos hapej zjarr. Dhe ata filluan të qëllojnë”.

Dhuna vazhdoi për disa orë para se ndalim-qarkullimi të hynte në fuqi për të dytën natë me radhë. Guvernatori Nixon ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Ferguson dhe ka vendosur ndalim-qarkullimin nga mesnata në orën 5 të mëngjesit.

Të dielën në mbrëmje New York Times njoftoi se rezultatet paraprake të një autopsie private, tregonin se Brown ishte qëlluar të paktën 6 herë, përfshirë dy plumba në kokë.

Familja e adoleshentit e kishte kërkuar autoposinë private.

Dje, Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder tha se një mjek ligjor federal do të kryente një autopsi tjetër ashtu siç ka kërkuar familja Brown dhe për shkak të natyrës jashtëzakonisht delikate të këtij rasti. Edhe autoritetet lokale kanë kryer një autopsi dhe rezultatet e saj nuk janë bërë ende publike.

Të premten, policia bëri publike informacionin se Michael Brown ishte përfshirë në një vjedhje në një dyqan, pak para se të vritej.

XS
SM
MD
LG