Lidhje

Korrupsioni në FIFA, Zvicra heton 53 transaksione


Prokurorët zviceranë po hetojnë 53 incidente të mundshme të pastrimit të parave që lidhen me procesin e tenderit për organizimin e Kupës së Botës nga FIFA për vitet 2018 dhe 2022. Prokurori i përgjithshëm zviceran Michael Lauber tha sot se transaksionet janë raportuar nga bankat përmes sistemit zvicerian të zbulimit të rasteve të pastrimit të parave. Ai tha se bankat kanë bërë detyrën e tyre në raportimin e veprimtarisë dhe paralajmëroi se ky është një rast "i madh dhe kompleks".

Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës Michael Lauber u tha gazetarëve se ai nuk e përjashton mundësinë e marrjes në pyetje të presidentit të FIFA-s Sep Blater, i cili ka rënë dakord të japë dorëheqjen në prag të skandalit që përfshiu organin qeverisës të futbollit.

Ai tha zyra e tij ka konfiskuar rreth nëntë terabajt të dhëna si pjesë e një hetimi gjithëpërfshirës mbi akuzat për korrupsion në organin qeverisës të futbollit, FIFA.

"Kemi të bëjmë me një hetim kompleks me pasoja ndërkombëtare. Hetimet po vazhdojnë dhe ato do të kërkojnë kohë. Nuk do të ishte profesionale të komunikonim sot për ju një afat kohor të detajuar mbi hetimet. Bota e futbollit duhet të ketë durim. Hetimet do të kërkojnë më shumë kohë se sa 90 minutat lëgjendare".

Këto ishin komentet e para publike të prokurorit zvicerian, Michael Lauber për gazetarët që kur zyra e tij sekuestroi të dhënat kompjuterike nga FIFA muajin e kaluar.

Ai tha se 104 marrëdhënie bankare, duke përfshirë edhe disa llogari bankare, dhe nëntë terabajt të dhëna janë duke u analizuar. Sa për krahasim, Biblioteka e Kongresit amerikan thotë se gjithë koleksioni i saj i veprave të shtypura arrin në 10 terabajt.

"Do të merren në pyetje të gjithë njerëzit që mund kenë patur lidhje me këtë rast. Pra, as presidenti i FIFA-s e as Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s nuk do të përjashtohen", tha prokurori Lauber.

Sepp Blatter, në fillim të këtij muaji njoftoi se ka në plan të japë dorëheqjen si President i FIFA-s, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe autoritetet zvicerane zgjeruan hetimet.

Zvicra është përqendruar veçanërisht në hetimin e procesit të dhënies së të drejtës për organizimin e Kupës së Botës për vitet 2018 dhe 2022 në Rusi dhe Katar. Selia e FIFA-s është në Zvicër.

Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara ngritën akuza ndaj nëntë zyrtarëve të FIFA-s dhe pesë drejtuesve të korporatave për shantazh, mashtrime dhe pastrim parash.

FIFA ka pezulluar procesin e tenderit për organizimin e Kupës së Botës 2026 për shkak të këtij skandali.

XS
SM
MD
LG