Lidhje

Sepp Blatter rizgjidhet si President i FIFA-s


Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter u zgjodh për një mandat të pestë në post, pasi procesi kaloi në balotazh mes tij dhe sfiduesit të tij Princit Ali bin al-Husein të Jordanisë. Votimi u zhvillua gjatë punimeve të Kongresit të 65-të të FIFA-s në Zyrih të Zvicrës, në një atmosferë të dominuar nga skandali i korrupsiot që ka tronditur botën e futbollit. Para zhvillimit të votës, zoti Blatter u zotua për transparencë për t’i kthyer futbollit dinjitetin dhe respektin që i takon.

Sepp Blatter bëri thirrje për unitet mes anëtarëve të FIFA-s që organizata të vazhdojë përpara, pas stuhisë së furishme të shkaktuar nga akuzat për korruptison dhe arrestimit të shtatë zyrtarëve të lartë të FIFA-s.

"Sot, ju bëj thirrje për të treguar frymë ekipi, për unitet në mënyrë që të ecim përpara. Nuk do të jetë e lehtë, por prandaj edhe jemi mbledhur këtu, për të gjetur zgjidhje për problemet që kanë dalë. Nuk do të mund t’i zgjidhim për një ditë”.

Disa anëtarë të federatës kishin kërkuar dorëheqjen e presidentit Blatter nga posti. Ai pranoi se presidenti mban përgjegjësi, por nuk pranoi të jepte dorëheqjen dhe u përpoq ta paraqiste skandalin si produkt i veprimeve të disa individëve, që nuk duhet të trajtohet si problem institucional.

"Nuk mund të lejojmë që reputacioni i futbollit dhe FIFA-s të përbaltet në këtë mënyrë. Nuk mund ta lejojmë, pasi ata që akuzohen për faj, nëse vërtetohet që janë fajtorë, janë individë dhe jo e gjithë organizata. Këta individë harruan se futbolli bazohet tek disiplina, respekti, loja e ndershme dhe se është një lojë në ekip”.

Ai shtoi se “nuk mendon që këto probleme do të ekzistonin” nëse Rusia dhe Katari nuk do të ishin zgjedhur si vende organizatore për kupat 2018 dhe 2022. Shtetet e Bashkuara ishte ndër konkurrentët që nuk u zgjodhën për kupën e 2022. Autoritetet federale amerikane ngritën këtë javë padi kundër 14 individëve me akuzat për afere korruptive, transferime të paligjshme fondesh dhe pastrim parash. Një proces i pavarur hetimor është hapur nga Zvicra lidhur me dyshimet për keqmenaxhim dhe pastrim parash në procesin e zgjedhjes së organizatorëve për kupat 2018 dhe 2022.

Punimet e kongresit u ndërprenë për pak kohë për t’u dhënë mundësi autoriteteve lokale të kontrollonin sallën, pasi një telefonatë anonime njoftoi se ishte vënë një bombë në ndërtesë.

Ndërprerje u shkaktuan edhe nga thirrjet e një protestuese pro-palestineze që u nxor nga salla. Protesta në mbështetje të kauzës palestineze zhvilloi edhe një grup i shoqërisë civile i mbledhur para ndërtesës ku po zhvillohet kongresi. Federata Palestineze e Futbollit paraqiti kërkesën për të pezulluar antarësinë e Izraelit nga federata.

XS
SM
MD
LG