Lidhje

Forcat siriane dhe ato rebele vazhdojnë luftimet në Alepo


Sot forcat siriane dhe ato rebele i vazhduan luftimet në qytetin e rrethuar të Alepos, ku janë bllokuar rreth 250 mijë njerëz, mes tyre shumë fëmijë. Forcat siriane po përpiqen të marrin kontrollin e disa pjesëve të Alepos që janë nën kontrolin e rebelëve, të cilët kryejnë sulme ndaj pjesëve të qytetit nën kontrollin e qeverisë. Numri i viktimave nga të dyja palët vazhdon të rritet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për evakuimin e menjëhershëm të qindra njerëzve të sëmurë dhe të plagosur nga pjesa lindore e Alepos. Sipas kësaj organizate rreth një e treta e qindra civilëve të vrarë dhe të plagosur janë fëmijë. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se gjatë dy javëve të fundit në Siri janë vrarë nga bombardimet mbi 330 njerëz, mes tyre 102 fëmijë. Mbi 800 vetë janë plagosur, mes tyre 260 fëmijë.

Presidenti Obama ka dënuar me forcë “sulmet ajrore barbare ruse dhe të regjimit sirian”, siç është shprehur ai, ndaj civilëve në Alepon lindore.

Organizata Vëzshguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani thotë se gjatë vitit të fundit në mbarë Sirinë janë vrarë më tepër se 9 mijë njerëz, shumica e tyre civilë.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se është diçka jo racionale të vazhdohen bisedimet, apo të merren ato seriozisht, pasi rusët janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet ajrore. Ai tha se është tepër i shqetësuar për të ardhmen e popullit sirian.

XS
SM
MD
LG