Për shkak të temperaturave të larta dhe erërave, gjatë orëve të fundit, është përshkallëzuar situata e zjarreve në pyjet e Komunës Blerim, në rrethin e Pukës. Në pamundësi për të përballuar situatën e rënduar, që vazhdon prej katër ditësh, autoritetet vendore kërkuan sot ndihmën e helikopterëve nga Tirana.
Ditët e fundit janë regjistruar të paktën 14 vatra zjarri në rrethet Shkodër, Pukë, Lezhë dhe Malësi e Madhe, zjarre që sipas drejtuesve të shërbimit pyjor, në pjesën më të madhe janë shkaktuar qëllimisht ose nga pakujdesia e banorëve.