Lidhje

Në fjalimin e lamtumirës, Tillerson bën thirrje për integritet


Sekretari Tillerson duke dalë nga hyrja kryesore e Departamentit të Shtetit
Sekretari Tillerson duke dalë nga hyrja kryesore e Departamentit të Shtetit

Sekretari i Shtetit në largim Rex Tillerson mbajti një fjalim lamtumire për stafin e Departamentit të Shtetit. Sekretari Tillerson largohet zyrtarisht nga detyra më 31 mars, pasi u shkarkua papritur në përfundim të një vizite në Afrikë. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi nëpërmje Twitter-it mëngjesin e 13 marsit, se po e zëvendësonte zotin Tillerson me drejtorin aktual të CIA-s, Mike Pompeo. Sekretari Tillerson nuk e përmendi Presidentin Trump në fjalimin e tij, ndërsa vëzhguesit thanë se kritika e tij i drejtohej qartësisht Presidentit dhe administratës së tij.

Sekretari Tillerson falenderoi punonjësit e Departamentit të Shtetit për kontributin e tyre për suksesin e diplomacisë amerikane.

“Asgjë nuk do të kishte qenë e mundur pa kontributin tuaj të përditshëm, që nga shpërndarësi i postës dhe deri tek kati i shtatë i zyrës ekzekutive”, tha Sekretari Tillerson.

Ish-drejtuesi i kompanisë Exxon nga Teksasi, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit personal.

“Vetëm ju mund ta braktisni apo të lejoni të kompromentohet. Nëse ndodh kështu, integriteti është tepër e vështirë të rifitohet. Ruajeni, pra, si gjënë më të shtrenjtë që keni”, tha Sekretari Tillerson.

Kjo deklaratë u kuptua si një shuplakë për elitën politike me sjellje të debatueshme në jetën private dhe atë publike. Sekretari Tillerson u përpoq të mos linte vend për keqinterpretim.

“Ky qytet mund të bëhet shumë zemërlig... Por, nuk është e thënë që të bëheni me doemos pjesë e kësaj klime. Çdonjëri prej nesh mund të zgjedhë se çfarë njeriu dëshiron të jetë, mënyrën se si dëshiron të trajtohet, si dhe mënyrën si do të trajtojë të tjerët”, tha Sekretari Tillerson.

Shkarkimi i zotit Tillerson pritej të ndodhte kohë më parë. Por, mënyra se si ai u shkarkua, ngjalli pikëpyetje. Zëvendësi i tij, Steve Goldstein, tha se zoti Tillerson mësoi se ishte shkarkuar nëpërmjet një mesazhi të Presidentit Trump në Twitter. Shtëpia e Bardhë tha se zoti Tillerson ishte informuar paraprakisht nga shefi i stafit, John Kelly. Në vijim, Nënsekretari i Shtetit Goldstein u shkarkua për shkak se hodhi poshtë variantin e Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari Tillerson u bëri thirrje diplomatëve dhe të tjerëve që të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt.

“Në mbyllje, dua t’ju kërkoj që secili prej jush të ndërmarrë një gjest mirësie çdo ditë ndaj të tjerëve”, tha Sekretari Tillerson.

Presidenti Trump nuk komentoi pas fjalimit të Sekretarit Tillerson. Por, një ditë pasi e shkarkoi, ai shkruajti se ndjehet më mirë me Mike Pompeon.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, falenderoi zotin Tillerson për shërbimin ndaj vendit.

“Është shumë të lësh familjen, një punë të mirë, nipërit dhe fermën ku banonte. Të gjitha këto dëshmojnë për sakrificën që ai bëri”, tha zonja Nauert.

Gjatë pothuajse një viti në detyrë, Sekretari Tillerson udhëtoi jashtë SHBA-së për 90 ditë dhe vizitoi 38 vende.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG