Lidhje

Fjalimi që ndryshoi Amerikën


50 vjet më parë, më 28 gusht, 1963 gjatë Marshimit në Uashington, Martin Luther King Jr mbajti një nga fjalimet më të rëndësishëm që kanë hyrë në historinë botërore. Në marshim morën pjesë rreth 250 mijë vetë. Ëndrra e të përndershmit King për një Amerikë ku mbretëron barazia e vërtetë, konsiderohet si një moment kulmor në lëvizjen e të drejtave të njeriut, një shprehje e vlerave dhe cilësive që amerikanë aspirojnë.

Amerikanët marshuan atë ditë drejt monumentit të Lincolnit për të kërkuar të drejta civile, punë dhe liri. Një prej udhëheqësve të marshimit, i përndershmi Martin Luther King, Jr mbajti një fjalim që ka lënë gjurmë të pashlyera në histori.

Peter Kuznick, Profesor Historie në Universitetin Amerikan thotë se marshimi ishte pika kulmore e një viti të trazuar për lëvizjen e të drejtave civile.

“Marshimi në Uashington është sot një ngjarje e famshme në historinë amerikane, për të cilën të gjithë fëmijët mësojnë në shkollë, ata mësojnë ta recitojnë fjalimin e Martin Luther Kingut. Por në atë kohë vendi ishte shumë i përçarë”.

Në vitin 1963, restorantet dhe çezmat e ujit të ndara veç për të bardhët dhe veç për zezakët, ishin diçka e zakonshme në pjesën më të madhe të jugut. Ishte koha kur policia e Birmingamit lëshoi qentë dhe pompat e ujit me presion ndaj protestuesve paqësorë.

Andrew Young ishte një koleg dhe mik i dr. Kingut dhe luajti rolin e negociatorit gjatë fushatës së të drejtave civile.

“Pasi u përballëm me qentë dhe pompat e ujit, vizita në Uashington ngjante si piknik. Prandaj ne nuk na bënte edhe aq përshtypje sepse nuk i kuptonim atëherë pasojat kombëtare dhe ndërkombëtare të asaj që po bënim. Madje nuk ishim as të sigurt që njerëzit do të mblidheshin. Prandaj atë mëngjes u zgjova me një ndjesi mosbesimi dhe kur dola nga hoteli nuk pashë ndonjë gjë të veçantë. Por pak më vonë filluan të arrinin autobusët nga jugu. Dhe pranë mesditës, erdhën me trena pjesëmarrës nga Nju Jorku dhe Filadelfia. Pastaj edhe një tren nga Jugu. Dhe pastaj filloi të dukjej sikur njerëz nga e gjithë bota po mblidheshin tek Monumenti i Uashingtonit ku ne filluam marshimin”.

Ditën e Vitit të Ri 1863, Presidenti Abraham Lincoln shpalli zhdukjen e skllavërisë.
Marshimi në Uashington shënonte 100 vjetorin e asaj ngjarjeje historike por edhe nxirrte në pah sesa punë mbetej ende për të bërë për garantimin e të drejtave civile.
Demonstruesit kërkonin miratimin e projekt-ligjit të Presidentit John F. Kennedi për të drejtat civile. Pas marshimit u mbajt një takim i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Kennedy.

“Udhëheqësit e organizatave të të drejtave të njeriut u ftuan në Shtëpinë e Bardhë pas Marshimit të Uashingtonit dhe u takuan personalisht me Presidentin Kennedy. Takimit i shtatë drejtuesve të lëvizjes me Presidentin i kombinuar me marshimin e 250 mijë vetëve, garantoi suksesin e Ligjit për të Drejtat Civile të administratës së Presidentit Kennedy”.

Kjo sepse të dyja ngjarjet krijuan trysninë e nevojshme ndaj Kongresit për të miratuar ligjin për të Drejtat Civile dhe atë për të Drejtën e Votës respektivisht në vitet 1964 dhe 1965.

Aveda King, mbesa e Martin Luther Kingut thotë se atmosfera ishte më shpresëdhënëse pas 28 gushtit, 1963.

“Ata ndjenë se zëri i tyre po dëgjohej dhe prandaj megjithëse kohërat vazhduan të ishin të vështira, kishte një ndjesi shprese. Prandaj ne si njerëz filluam të kuptonim se fjalët më të preferuara të Martin Luther Kingut “më në fund të lirë” në fjalimin “Kam një ëndërr”, po bëheshin realitet”.

Dhe sot, fjalimi është një kujtesë nga koha kur vështirë të mendohej se një ditë do të kishte një afrikano-amerikan në Shtëpinë e Bardhë.
XS
SM
MD
LG