Lidhje

SHBA: Vazhdon numërimi i votave në disa gara zgjedhore


Autoritetet amerikane të zgjedhjeve numëruan dhe rinumëruan të hënën numrin e përgjithshëm të votave në disa zgjedhje rezultati i të cilave nuk është shpallur, afro një javë pas votimeve për kongresin.

Vëmendja më e madhe është përqendruar në shtetin e Floridës, ku rezultati është në dyshim në dy gara ku republikanët kanë një epërsi të lehtë.

Në një garë për senatin, guvernatori i Floridës, Rick Scott po ruan një epërsi prej 12 mijë e 500 votash ndaj senatorit aktual demokrat, Bill Nelson, ndërsa në garën për postin e guvernatorit për të zëvendësuar zotin Scott, Kongresmeni Ron DeSantis ka një epërsi prej 34 mijë votash ndaj kryebashkiakut demokrat të kryeqytetit të shtetit, Andrew Gillum.

Presidenti Donald Trump, që bëri fushatë disa herë për kandidatët Scott dhe DeSantis, tha në Twitter se rinumërimi i votave në Florida është i manipuluar dhe duhet të ndërpritet, duke deklaruar fitues dy republikanët pasi kishin epërsi, kur u shpallën rezultatet të martën e kaluar.

"Rezultatet e zgjedhjeve në Florida duhet të shpallen në favor të kandidatëve Rick Scott dhe Ron DeSantis, pasi një numër i madh fletësh të reja votimi u shfaqën papritur dhe shumë fletë votimi nuk gjenden ose janë manipuluar. Një numërim i drejtë votash nuk është më i mundur. Duhet të pranohen rezultatet e natës së zgjedhjeve”, shkruante Presidenti në Twitter.

Demokrati Gillum, me mesazhin e tij në Twitter, reagoi ndaj zotit Trump për zgjedhjet e Floridës, duke iu përgjigjur “Dukesh nervoz”.

Zyrtarët e zgjedhjeve po numërojnë vota edhe në disa gara të tjera, përfshirë për disa vende të Dhomës së Përfaqësuesve, si edhe një vend senati në shtetin e Arizonës dhe postin e guvernatorit në shtetin e Xhorxhas.

Në Arizonë, anëtarja demokrate e Kongresit, Kyrsten Sinema ka siguruar një epërsi prej 32 mijë votash ndaj republikanes Martha McSally, ndërsa mbeten ende mijëra fletë votimi pa u numëruar.

Në Xhorxha, kandidati republikan Brian Kemp, ka një epërsi prej 58 mijë votash ndaj rivales së tij demokrate, Stacey Abrams, një ligjvënëse e legjislaturës së shtetit, që po kërkon të bëhet e para guvernatore afrikano-amerikane e shtetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG