Lidhje

Mbetet i pandryshuar numri i viktimave në Sërfsajd të Floridës - Presidenti Biden do të vizitojë zonën të enjten


Hyjnë në ditën e gjashtë kërkimet për të mbijetuar pas shembjes së një ndërtese banimi në Sërfsajd të Floridës, ku deri tani numri i viktimave ka arritur në të paktën 11 persona. Ekipet e shpëtimit janë në një betejë me kohën në kërkim të 150 personave të tjerë që ende janë të zhdukur.

Shpresat kanë filluar të veniten por ka njerëz që ende e mbajnë shpresën gjallë për të gjetur të dashurit e tyre. Magnituda e kësaj ngjarje ka tërhequr ekipe të kualifikuara të shpëtimit nga Izraeli dhe Meksika megjithëse vetë ekipi i qarkut Majami Dejd ka përvojë të gjatë pasi kjo zonë përballet shpesh me uraganë. Megjithatë asnjë nga ato ngjarje nuk krahasohet me katastrofën e shkaktuar nga rrëzimi i godinës. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden do të shkojnë në Sërfsajd të enjten për të vizituar familjet e viktimave.

Hetimet ndërkohë kanë filluar për të përcaktuar shkakun e rrëzimit të ndërtesës.

Gazeta Miami Herald publikoi fotografi të marra nga një kontraktor vetëm 36 orë para tragjedisë – I cili tha se kishte patur ujë në garazhin e ndërtesës, të çara betoni dhe gërryerje në binarët e pishinës.

Gjithashtu gazeta The Wall Street Journal publikoi një letër që u ishte dërguar banorëve të ndërtesës jo më larg se në prill nga presidenti i bordit të ndërtesës ku paralajmërohej se godina kishte nevojë për riparime madhore dhe se gjendja e ndërtesës ishte përkeqësuar që nga raporti i inpektimit të vitit 2018 që kishte bërë të qartë se ndërtesa kishte dëmtime serioze dhe se kërkoheshin riparime që kapnin shifrën 9.1 milionë dollarë.

Florida, Homazhe për viktimat dhe të zhdukurit nga shembja e ndërtesës
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:39 0:00

Një inxhinier strukturash që ka marrë pjesë në hetimet për sulmet e 11 shtatorit në Pentagon është punësuar për të inspektuar shkatërrimin e ndërtesës por ky proces pritet të jetë i gjatë. Rrënonjat e godinës janë evidencë për këtë punë kolosale për të gjetur shkakun e rrëzimit. Zyrtarët thanë se mbetjet duhet të transportohen në një magazinë ku do të inspektohen, por tani pritoritet mbeten ende operacionet e kërkim-shpëtimit.

Në Sërfsajt të Floridës mbahen homazhe për të nderuar ata që humbën jetën dhe të zhdukurit nga shembja e një ndërtese 12 katëshe banimi që ndodhi javën e kaluar.

"Ende ka shpresë. Unë besoj se mrekullitë mund të ndodhin. Kanë ndodhur gjithandej në botë. Në këtë mision janë përfshirë forcat izraelite, meksiane, pra ekipet më të mira. Prandaj kam besim”, thotë Martin Langesfelt, familjar i dy të zhdukurve.

Tubimi solemn i ndezjes së qirinjve u mbajt në plazh, jo shumë larg godinës pjesërisht të shembur, ku autoritetet thanë se me përjashtim të atyre që arritën të shpëtojnë në orët e para pas shëmbjes, ata nuk kanë arritur të gjejnë të mbijetuar të tjerë.

Ndërsa orët kalojnë, shpresat e familjarëve po veniten thotë kryebashkiakja e Majami-Dejd.

"Familjet, për shkak të procesit që kemi kaluar, po arrijnë në përfundimet e tyre. Disa kanë më shumë shpresa, disa më pak, sepse nuk kemi përgjigje të prera. Ne u japim faktet. I dërgojmë në vendin e ngjarjes ku ata shohin operacionin. Kur e kuptojnë këtë, e përgatisin veten për lajmin“, thotë Daniella Levine Cava, Kryebashkiake në Majami-Dejd.

Dy trupa tjerë u nxorrën të hënën, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Zyrtarët thanë të hënën se 150 persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënojat e ndërtesës.

Edhe të tjerë që vazhdojnë të shpresojnë ndaluan në heshtje në memorialin e improvizuar, ndërsa të tjerët ngushëllonin njëri-tjetrin afër ndërtesës së shembur, ku po vazhdojnë kërkimet me makineri të rënda.

Një ekip shkencëtarësh dhe inxhinierësh po kryejnë një hetim paraprak në vendin e ngjarjes lidhur me shkaqet e rrëzimit të ndërtesës.

Godina binjake Champlain Towers North

Rreth një bllok nga godina që u shemb në Sërfsajd të Majamit është ndërtesa e saj binjake. Ajo është ndërtuar një vit më vonë nga e njëjta kompani, duke përdorur të njëjtat materiale dhe një planimetri të ngjashme. Ndërtesa është përballur me të njëjtët elementë natyrorë, batica dhe ajër të kripur. Kjo ka bërë që disa banorë të Champlain Towers North të shqetësohen duke u larguar, megjithëse shumica kanë mbetur në godinë, duke thënë se janë të bindur se ndërtesa e tyre gati 40-vjeçare, 12-katëshe është mbajtur më mirë. Ata thonë se ndërtesa e tyre nuk ka të njëjtat probleme me çarjen e trarëve mbështetës dhe në zonën e pishinës që raportet inxhinierike të vitit 2018 tregojnë se kishte kulla e jugut.

Shembja e godinës Champlain Towers South të enjten ka tërhequr vëmendjen për ndërtesat e larta më të vjetra në të gjithë Floridën Jugore dhe e ka shtyrë kryetaren e bashkisë Majami-Dejd Daniella Levine Cava të urdhërojë një kontroll 30-ditor nëse ndërtesat nën juridiksionin e saj janë në përputhje me një riçertifikim të kërkuar për qendrueshmerine strukturore të godinave 40 vjeçare. Ajo tha se dëshiron që çdo çështje e ngritur nga inspektimet të adresohet menjëherë. Ajo u ka kërkuar gjithashtu komunave brenda qarkut që të ndjekin të njëjtin shembull. Majami, për shembull, ka nisur një auditim 45-ditor të ndërtesave mbi gjashtë katëshe që janë 40 vjeçare ose më të vjetra.

Inspektorët kryen një ekzaminim të shpejtë të ndërtesës Champlain Towers North dhe Kryetari i Bashkisë në Sërfsajd, Charles Burkett tha se nuk u gjet asgjë që tregon se kulla rrezikon të shembet.

Por kjo nuk u dha garanci të gjithë banorëve.

Banorëve të kullës Champlain Towers North që duan të zhvendosen përkohësisht po u ofrohet ndihmë federale, ashtu si edhe të mbijetuarve nga kulla e rrëzuar.

Kryetari i bashkisë në Sërfsajd tha se një inspektim i hollësishëm i godinës veriore do të kryhet të martën nga një firmë inxhinierike e punësuar nga banorët. Qyteti do të inspektojë së shpejti ndërtesa të tjera të vjetra. Duke pasur parasysh rezultatet e inspektimit paraprak të kullës veriore, zoti Burkett tha se nuk sheh arsye për të urdhëruar evakuimin e detyrueshëm të banorëve. Megjithatë ai tha se ai vetë nuk do të kishte qëndruar atje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG