Zyra e Prokurorit të Majamit ka ngritur akuzën për akte të dhunshme që shkaktuan vdekje ndaj të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në një aeroport në Florida.
26 vjeçari Esteban Santiago, veteran i luftës së Irakut, akuzohet se ka vrarë pesë vetë dhe plagosur gjashtë të tjetë, kur hapi zjarr të premten.
Të shtënat frikësuan mijëra vetë dhe shkaktuan kaos në aeroportin e qytetit Fort Lauderdale.
Nëse shpallet fajtor, Santiago mund të përballet me denim me vdekje, ose një burgim të gjatë deri në burgim të përjetshëm.
Santiago po mbahet i ndaluar pa të drejtën e lirimit me kusht. Ai pritet të dalë për here parë përballë trupit gjykues në Florida nesër.