Lidhje

Ligjvënësit: Gjenerali Flynn ka shkelur ligjin federal


Dy ligjvënës të njohur amerikanë thonë se ish këshilltari i Presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare, duket se ka shkelur ligjin federal duke mos bërë të ditur pagesat që ka marrë nga qeveritë e huaja lidhur me angazhimet e tij publike për këto qeveri.

Ligjvenësi republikan Jason Chaffetz dhe demokrati Elijah Cummings, thanë të martën se Gjenerali Michael Flynn duhet të kishte marrë leje për të mbajtur një fjalim me pagesë gjatë një darke në vitin 2015 të organizuar nga kanalit televiziv RT që financohet nga Moska. Në këtë takim ai u ul në një tavolinë me presidentin rus Vladimir Putin.

Zoti Flynn mori 45 mijë dollarë për pjesmarrjen dhe më shumë se 500 mijë dollarë për lobim në emër të qeverisë turke. Ligjvënësi republikan Jason Chaffetz është kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen dhe Reformat në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Si ish oficer ushtarak, thjeshtë nuk mund të marrësh para nga Rusia, Turqia apo dikush tjetër, dhe duket se ai i ka pranuar paratë. Është e papërshtatshme dhe ka pasoja për shkeljen e ligjit.”

Zoti Chaffetz dhe zoti Cummings dolën publikisht kundër zotit Flynn pasi Shtëpia e Bardhë mohoi kërkesën e komisionit për dokumente që kanë lidhje me kontaktet e tij me të huajt.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer minimizoi pretendimet se Shtëpia e Bardhë mohoi kërkesën, duke thënë se komisioni kishte marrë të gjitha dokumentet e nevojshme nga agjencitë e tjera.

“Është qesharake t’i kërkohen Shtëpisë së Bardhë dokumente të cilat ajo nuk i ka.”

Zoti Flynn u detyrua të linte Shtëpinë e Bardhë pasi gënjeu Nënpresidentin Mike Pence lidhur me bisedën me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara Sergey Kislyak gjatë periudhës së tranzicionit para inaugurimit të presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG