Lidhje

SHBA: Dënimi për Michael Flynn jepet më 18 dhjetor


Pas disa muajsh vonese, tashmë ka një datë për dënimin e ish-këshilltarit të Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn. Të mërkurën një gjykatës federal vendosi që dënimi i zotit Flynn të jepet në 18 dhjetor, më shumë se një vit nga koha kur ish-gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, u vetëdeklarua fajtor se kishte gënjyer FBI-në lidhur me kontaktet e tij me Rusinë gjatë periudhës së tranzicionit mes dy administratave.

Njoftimi i gjykatës vjen disa ditë pasi prokurorët që po punojnë për Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller, thanë se ishin gati për përfundimin e çështjes Flynn.

Zoti Flynn, një nga mbështetësit kryesorë të fushatës presidenciale të zotit Trump, ka qenë bashkëpunëtori kryesor në hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe për një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë, të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Por mbetet e paqartë se si do të ndikojë tek hetimi, informacioni që ai ka ndarë me prokurorët.

Zoti Flynn u detyrua të japë dorëheqjen si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në muajin shkurt të vitit të kaluar. Shtëpia e Bardhë tha se ai u shkarkua pasi kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence dhe zyrtarë të tjerë të lartë lidhur me përmbajtjen e bisedave të tij me të dërguarin e Moskës në Uashington Sergey Kislyak.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG