Lidhje

Fondi global dhe bizneset e mëdha bashkojnë forcat kundër Sidës


Ndërsa vendet dhuruese kufizojnë buxhetet për të pakësuar borxhet, organizata si Fondi Global për të luftuar Sidën, Tuberkulozin dhe Malarjen po ndjejnë pasojat. Ky fond deklaroi në nëntor të vitit të kaluar se nuk do të jepte grante të reja deri në vitin 2014. Kohët e fundit, në Uashington zyrtarë amerikanë dhe të fondit, si edhe përfaqësues biznesesh dhe të organizatave joqeveritare u mblodhën për të diskutuar të ardhmen e fondit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Joe de Capua njofton:

Fondi global për të luftuar Sidën, Tuberkulozin dhe Malarjen është një partneritet dhjetëvjeçar publik-privat. Ai pranon fonde nga qeveri, organizata bamirëse dhe korporata të mëdha dhe ka siguruar rreth 23 miliardë dollarë në grante për mbi 1 mijë programe në 150 vende.

Kompania Coca Cola dhe Chevron ishin mes korporatave të mëdha që merrnin pjesë në takimin e javës së kaluar në Uashington. Chevron u nderua si Kampioni i Parë i Fondit Global mes korporatave, pasi kishte investuar 30 milionë dollarë për një periudhë tre vjeçare nga viti 2008 deri në 2011 dhe ka premtuar se do të japë edhe 25 milionë të tjera deri në fund të vitit 2013. Matt Lonner është menaxher i Programeve Globale të Partneritetit në kompaninë Chevron.

“Ne kemi 25 vjet që kemi kontribuar veçanërisht në luftën kundër Sidës. Ne e kemi qendrën në San Francisco, kështuqë i kemi ndjerë pasojat e kësaj sëmundjeje në qytetin tonë, por edhe në zona të tjera të botës si për shembull në Afrikë, në Angolë, ku kompania jonë ka aktivitet prej 75 vjetësh”.

Disa nga rastet e para të Sidës në Shtetet e Bashkuara u zbuluan në San Francisco para 30 vjetësh. Zoti Lonner thotë se për Chevronin, një popullatë e shëndetshme është në të mirë të biznesit.

“Nuk është vetëm një çështje personale, por edhe e lidhur me biznesin. Ndikon tek punonjësit tanë, tek familjet e tyre. Kështu që disa nga këto sëmundje janë shumë të pranishme për ne”.

Chevron thotë se ka 60 mijë punonjës në të gjithë botën. Anulimi i ciklit të financimit të njohur si raundi i 11-të ka shkaktuar shqetësime mes rretheve mjekësore dhe pacientëve. Recesioni global goditi pikërisht në kohën kur terapitë antiretrovirale po shënonin përparim si metoda parandalimi. Po ashtu kishte pasur njoftime inkurajuese në fushën e studimeve për vaksinat.

“Mendoj se kriza ekonomike globale sigurisht që ndikoi tek fondet nga qeveritë donatore, që natyrisht kanë përparësi të shumta, por ne besojmë se vëmendja ndaj këtyre epidemive është shumë e rëndësishme”.

Zoti Lonner thotë se kontributet nga korporata si Coca-Cola dhe Chevron mund të shërbejnë si shembull në kohëra të vështira ekonomike.

“Mendoj se sektori privat u jep besueshmëri këtyre çështjeve. Kur qeveritë shohin se sektori privat, që në thelb është i orientuar nga fitimet, bën këto lloj investimesh, unë shpresoj se qeveritë do të nxiten që të ndërmarrin të njëjtin hap dhe të angazhohen për çështje në vendet e tyre dhe në vende të tjera në nevojë. Sektori privat mund të ketë ndikim, por nuk mund ta arrijë kurrë ndikimin që mund të kenë qeveritë”.

Kur filloi recesioni global, organizatat dhe agjencitë që merreshin me kurat dhe parandalimin e Sidës, tuberkulozit dhe malarjes u këshilluan që të ishin më efiçentë, dhe të realizonin më shumë me më pak burime.

Ndërkohë Coca-Cola ka krijuar një partneritet me Fondacionin e Bill dhe Melinda Gates-it për të siguruar kurim antiretrovirale në vendet në zhvillim. Coca-Cola po bashkëpunon edhe me fushatën RED që grumbullon fonde për programe shëndetësore përmes shitjes së disa artikujve nga firma të njohura. Sipas përllogaritjeve, fushata ka mbledhur rreth 200 milionë dollarë për programe të fondit global në Afrikë.

XS
SM
MD
LG