Lidhje

SHBA shqyrton një propozim për ndryshimin e vizave për studentët e huaj


Departamenti i Sigurisë Kombëtare po shqyrton një propozim sipas së cilit mbi 1.4 milionë studentëve ndërkombëtarë do t’u duhej të aplikonin çdo vit për leje për të qendruar në Shtetet e Bashkuara.

Propozimi është pjesë e një plani për të forcuar masat e sigurisë kombëtare duke monitoruar statusin e studentëve, sipas gazetës “Washington Post”.

Gazeta citon dy zyrtarë të paidentifikuar të thonë se plani do të kërkonte ndryshime rregullatore që do të donin të paktën 18 muaj për t’u realizuar. Plani do të kërkonte bashkëpunimin e Departamentit të Shtetit që jep vizat, ndërkohë që Departamenti i Sigurisë Kombëtare i administron ato dhe kontrollon hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

“Washington Post” thotë se zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare kanë ngritur shqetësime se rregullat për vizat për studentët nuk janë të përcaktuara mirë. Agjencia njoftoi së fundmi se 2.8 për qind e atyre që marrin viza si studentë apo për programe shkëmbimi, e shkelën vizën vitin e kaluar, më shumë se dyfishi i numrit mesatar të vizitorëve.

Nëndrejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Arsimit Ndërkombëtar, Jill Welch, thotë se ky propozim “do të kishte pasoja të konsiderueshme për interesat tona të sigurisë kombëtare, politikën e jashtme dhe ato ekonomike, si edhe për aftësitë shkencore dhe innovative të Amerikës”.

Mbi një milionë studentë ndërkombëtarë studiojnë çdo vit në Shtetet e Bashkuara, duke kontribuar me miliarda dollarë në ekonominë amerikane. Rreth 77 për qind e atyre studentëve vijnë nga Azia. Kina dhe India dërgojnë numrin më të madh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG