Lidhje

Tensionet mes Japonisë dhe Kinës


Në Forumin Ekonomik të Davosit në Zvicër, kryeministri japonez e krahasoi marrëdhënien e tensionuar të vendit tij me Kinën, me atë mes Anglisë dhe Gjermanisë para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Daniel Schearf njofton nga zyra e Azisë Verilindore e Zërit të Amerikës në Seul:

Kryeministri japonez Shinzo Abe shkaktoi habi këtë javë, kur i krahasoi tensionet e tanishme të vendit të tij me Kinën, me ato mes Anglisë dhe Gjermanisë para vitit 1914, kur këto vende hynë në luftë me njëri tjetrin.

Ky krahasim me Luftën e Parë Botërore, që ai bëri papritur, megjithë lidhjet e ngushta ekonomike mes dy vendeve, nuk kaloi pa u vënë re.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Çin Gang u përgjigj me një gjuhë të ashpër, duke thënë se Japonia duhet t'i hedhë një vështrim historisë së vet.

"Komente të tilla nga udhëheqësit japonezë, bëhen me synimin për të shmangur historinë e tyre të agresionit, për të ngatërruar audiencën dhe për të zhvendosur konceptet. Cila është domethënia e krahasimeve të tilla? Në vend që të ngrejë këtë çështje, është më mirë që Japonia të reflektojë për luftën e vet agresive," tha zëdhënësi kinez.

Tokioja menjëherë mohoi se komentet nënkuptojnë se lufta është e pashmangshme dhe se ato ishin bërë me qëllim që të dërgonin mesazhin se Japonia është kundër konfliktit.

Gjatë një fjalimi të rëndësishëm që mbajti në Forumin e Ekonomisë Botërore në Davos, zoti Abe po ashtu kritikoi publikisht përpjekjet ushtarake të Kinës.

Edhe pse nuk përmendi me emër Kinën, zoti Abe bëri thirrje për kufizim të fuqizimit ushtarak në Azi dhe për buxhete transparente të mbrojtjes, të cilat të jenë të verifikueshme.

“Në se paqja dhe stabiliteti do të ishin tronditur në Azi, efekti në mbarë botën do të ishte i jashtëzakonshëm. Momenti i rritjes ekonomike në Azi nuk duhet humbur me fuqizimin ushtarak," tha kryeministri japonez.

Kina ka shpenzuar mjaft për mbrojtjen gjatë dekadës së fundit. Kohët e fundit, Pekini ka bërë disa herë patrullime detare, për të theksuar praninë e vet në territore të debatueshme në detet e Kinës Lindore dhe Jugore dhe e ka zgjeruar zonën e "Identifikimit të Mbrotjtjes Ajrore" mbi ishujt që janë nën administrimin e Japonisë.

Këto lëvizje agresive kanë demoralizuar fqinjët, tashmë të ndikuar nga ekonomia në rritje dhe dominuese e Kinës.

Brad Williams është profesor i studimeve për Azinë dhe atyre ndërkombëtare në "City University" të Hong Kong-ut.

“Ndoshta zoti Abe e sheh Kinën si një perandori gjermane të kohëve moderne, e prirur për sjellje agresive. Kjo, natyrisht, mund të shkaktojë konflikt, megjithë varësinë e thellë ekonomike mes dy vendeve," thotë Profesor Williams.

Edhe Japonia, nën drejtimin e zotit Abe, po përpiqet ta zgjerojë rolin e forcave vetëmbrojtëse dhe t'i bëjë ndryshime kushtetutës paqësore të vendit. Amendamentet kushtetuese synojnë që të lejohet mbrojtje kolektive me forcat amerikane; por përsëri këto ndryshime i kanë alarmuar fqinjët si Koreja dhe Kina, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore vuajtën nën agresionin dhe sundimin kolonial të Japonisë.

Pekini kritikon ato që ai i cilëson përpjekje të zotit Abe për të justifikuar mizoritë e Japonisë në histori si dhe vizitën e tij në dhjetor tek një tempull që ka shkaktuar debate, i cili nderon, mes të tjerësh, edhe kriminelët e Luftës së Dytë Botërore.

Në kushtet e rritje së tensioneve mes Kinës dhe Japonisë, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia thonë se duhen vendosur linja telefonike ushtarake të emergjencës me Kinën, për të parandaluar shkallëzimin e situatës nga gabimet, ose llogaritjet e gabuara.
XS
SM
MD
LG