Lidhje

Francë, greva e hekurudhave shënon rekord


Greva e hekurudhave franceze kundër planeve të qeverisë për të reformuar sistemin e pensionit, shënoi një moment të ri të enjten, duke tejkaluar madje edhe grevat më të gjata në vitet '80.

Grevat mbarëkombëtare kundër planeve të qeverisë për pensionet filluan më 5 dhjetor. Të enjten, ato tejkaluan gjatësinë e një greve hekurudhore në vitet 1986-1987, që zgjati 28 ditë.

Grevat e tanishme çrregulluan shërbimet e trenave dhe metrosë në Paris dhe në të gjithë vendin gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri dhe vazhdojnë të shkaktojnë ndërprerje serioze.

Kompania kombëtare e hekurudhave SNCF tha se gjysma e trenave të saj me shpejtësi të lartë nuk ishin në funksionim të enjten. Vetëm dy linja të automatizuara funksionojnë aktualisht në Metronë e Parisit.

Sindikatat janë përgatitur për greva të tjera javën e ardhshme, kur rihapen shkollat franceze dhe rinisin bisedimet me qeverinë.

Në një fjalim televiziv të Vitit të Ri të martën, presidenti Emmanuel Macron riafirmoi angazhimin e tij për reformimin e pensioneve, por i kërkoi qeverisë të "gjente rrugën e një kompromisi të shpejtë" me sindikatat.

Macron qëndroi i vendosur në parimet e reformës, duke përfshirë masën e saj më të kritikuar: ngritjen e moshës për pensione të plota nga 62 në 64 vjeç. Ai këmbënguli se sistemi i ri do të jetë më i drejtë për të gjithë punëtorët francezë dhe do të jetë financiarisht i qëndrueshëm.

Plani synon të bashkojë dhjetëra sisteme të veçanta pensionesh në një të vetëm dhe të eliminojë marrëveshjet e posaçme që i lejojnë disa punëtorë francezë të transportit publik të dalin në pension në të 50-tat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG