Lidhje

Francë, koronavirusi nxjerr në pah padrejtësitë sociale


në Saint-Denis, në rrethinat e Parisit

Në një linjë telefonike për denoncimin e diskriminimit, Rafaelle Parlier dëgjon raporte shqetësuese: një grua e mbuluar, e cila gjobitet nga policia për përdorimin e shamisë së saj si maskë për fytyrën; një burrë me origjinë nga Afrika e Veriut, ndëshkuar në mënyrë të ngjashme për marrjen e gruas së tij infermiere, nga turni i punës në spital - megjithëse të dy kishin arsyetimet e duhura.

"Këto janë praktika që ne zakonisht i denoncojmë," tha zonja Parlier, e cila punon për grupin kundër diskriminimit "Stop le Contrôle au Faciès" (Stop Profilizimit Racial). "Izolimi thjesht e bën më të lehtë."

Megjithëse COVID-19 ka prekur të gjithë Francën, efektet e tij nuk po ndjehen në mënyrë të barabartë. Banorët më të varfër nga etni të tjera po vuajnë në mënyrë disproporcionale, thonë aktivistët e të drejtave të njeriut dhe zyrtarët lokalë. Pasojat variojnë, që nga raportimet e frikësimit dhe dhunës nga policia, deri tek kushte më të vështira në situatën e vetëizolimit, si dhe ndoshta raste më të shumta të infektimit me koronavirusin sesa gjetkë në vend.

"Problemi me këtë epidemi është se po nxjerr në pah të gjitha pabarazitë e tjera që kanë ekzistuar që më parë," tha Laurent Russier, kryebashkiak i Saint-Denis, një zonë periferike e klasës punëtore në Paris me një popullsi të madhe emigrantësh. "Edhe Saint-Denisi karakterizohet nga pabarazi të mprehta."

Pak zona i manifestojnë pabarazitë kombëtare më ashpër sesa distrikti më i gjerë Seine-Saint-Denis, rajoni më i varfër i Francës, ku ndodhet qyteti i zotit Russier. Një raport i fundit i qeverisë konstatoi një rritje të madhe të vdekjeve gjatë gjysmës së fundit të marsit, kur filloi mbyllja për shkak të COVID-19, një nivel më i lartë se në distriktet fqinje.

Megjithëse qeveria nuk e ka lidhur këtë rritje me koronavirusin, zyrtarët lokalë rendisin një seri dobësish themelore në banlieues, siç quhen periferitë e hirta të klasës punëtore.

Pabarazitë "që vrasin"

Nëpërmjet një artikulli, zoti Russier iu bashkua dhjetëra kryetarëve të bashkive dhe të zgjedhurve në përshkrimin e disa pabarazive "që vrasin" në distriktin Seine-Saint-Denis - në sektorët e drejtësisë, sigurisë, shëndetësisë, arsimit dhe punësimit.

Ndërsa disa parizienë u zhvendosën tek shtëpitë në fshat për të qëndruar gjatë pandemisë, dhe një pjesë po punojnë nga shtëpia, shumë prej banorëve të bashkisë së zotit Russier kanë punë "të vijës së parë" si ndihmësa në mjekësi, arkëtarë supermarketesh dhe punëtorë dërgesash, ndonjëherë pa maska mbrojtëse. Projektet e strehimit nganjëherë vendosin së bashku familje të mëdha, të përbërë nga disa breza, në hapësira të vogla, jo të shëndetshme, duke krijuar kështu në disa raste bërthama koronavirusi.

"Pra, nëse dikush merr COVID-19 në një apartament me disa breza njerëzish, niveli i përhapjes është më i shpejtë," tha Russier, "dhe izolimi është më i vështirë."

Disa varreza "banlieue" raportojnë se janë afër maksimumit të kapacitetit, situatë kjo që nuk është ndihmuar nga vala e fundit e vdekjeve.

Zakonisht, unë firmos tre ose katër çertifikata varrimi në javë. Por, gjatë javëve të fundit, unë jam duke nënshkruar tre ose katër në ditë," tha Sylvine Thomassin, kryetare e një periferie tjetër të klasës punëtore, për gazetën Le Monde.

Mesazhi duket se është kuptuar nga qeveria franceze. Duke iu drejtuar vendit të hënën, Presidenti Emmanuel Macron - i cili nuk ka marrë vlerësime të mira për adresimin e ankesave të lagjeve banlieue - premtoi gati 1 miliard dollarë më shumë ndihmë financiare për familjet e varfëra.

Zonat banlieues të Francës janë konsideruar prej kohësh si pikat kryesore që reflektojnë problemet e pazgjidhura sociale dhe ekonomike. Në 2005, ato shpërthejnë në trazira - një temë e filmit të fundit "Les Miserables" - duke zbuluar marrëdhënien e tensionuar dhe të dhunshme midis policisë dhe të rinjve banlieues.

Histori e vjetër, kontekst i ri

Sot, koronavirusi thjesht ofron një kontekst të ri për trajtimin diskriminues, thonë disa aktivistë. Disa video të postuara në mediat sociale tregojnë policët që godasin ose ngacmojnë të rinjtë për shkelje të pretenduara të masave të vështira të ndalim-qarkullimit. Në disa raste, të rinjtë kanë ngritur padi.

"Çështja e dhunës policore nuk është e re. Në objektiv janë po ata persona, këtë herë me pretekstin e zbatimit të ndalim-qarkullimit", tha Lanna Hollo, zyrtare e lartë juridike me Nismën për Drejtësi të Shoqërisë së Hapur në Paris.

"Ka të rinj që tremben të dalin jashtë," shtoi ajo. "Atyre mund t'u jetë caktuar bërja e pazarit ose mund t'u duhet të shkojnë në punë, dhe kanë frikë se mos abuzohen."

Në distriktin Seine-Saint-Denis, kryetarët e bashkive dhe zyrtarë të tjerë thonë se banorët po i zbatojnë kryesisht masat e bllokimit. Zoti Russier është ndër ta.

Por, ai e mohon që policia ta ketë tepruar me sjelljen e saj - të paktën në qytetin e tij.

"Janë disa të rinj që nuk i respektojnë kufizimet, në disa raste, në mënyrë të çuditshme," tha ai. "Por, policia po bën kujdes. Ideja është që të shmanget konfrontimi. Ata janë shumë, shumë vigjilentë për të mos i hedhur benzinë zjarrit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG