Lidhje

Franca ka në plan të ndërtojë një qendër islamike në Paris


Franca ka në plan të ndërtojë një qendër islamike në Paris
Franca ka në plan të ndërtojë një qendër islamike në Paris

Në Paris është planifikuar të ndërtohet një qendër e re islamike për të ndihmuar në zgjidhjen e dy problemeve, atë të pamjaftueshmërisë së xhamive për besimtarët e shumtë myslimanë si dhe atë të zbatimit të ligjit që ndalon lutjet në rrugë. Por përkohësisht besimtarët myslimanë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant, janë ftuar të kryejnë ritet fetare në një vend të pazakontë. Ai është një stacion i vjetër i shërbimit zjarrfikës në periferi të qytetit.

Për shumë myslimanë praktikantë në Paris, lutjet e së premtes janë kryer në xhami të mbushura plotë e përplotë. Ose, kur nuk kishte më hapësirë, duke hapur qilima lutjesh në trotuaret e qytetit. Kjo nuk ndodh më.

Një ligj i ri, që ka hyrë në fuqi këtë muaj, u ndalon rreth pesë milionë myslimanëve të Francës të luten në rrugë, një masë kjo e marrë në kuadër të politikës së ndarjes së shtetit nga feja.

Autoritetet franceze kanë ofruar një zgjidhje të përkohshme, atë të përdorimit të mjediseve të boshatisura të një stacioni të vjetër të shërbimit zjarrfikës në veri të Parisit. Me qindra njerëz dolën prej ndërtesës në një pasdite me diell pak ditë më parë, duke mbushur një bulevard të gjerë, fare pranë unazës së qytetit.

Për Oummou Savanneh, me origjinë nga Guinea Bisao, ish stacioni i zjarrfikësve është shumë më mirë sesa xhamia pranë shtëpisë së saj, rreth 1 kilometër prej aty. Zonja Savanneh thotë se ndërtesa ka mjaft hapësirë dhe ka banjo të mjaftueshme. Sayid Rahmani, nga Algjeria, është gjithashtu i kënaqur. Ai thotë se autoritetet franceze tashmë e kuptojnë se nuk është normale për besimatarët myslimanë të luten në rrugë.

Klerikët myslimanë thonë se ata mendojnë që besimtarët që do të përdorin ndërtesën do të jenë me mijëra. Ajo është plot që tani. Moussa Diakite, përgjegjës i xhamisë Polonceau aty pranë, udhëheq lutjet e së premtes, duke u zëvendësuar në mënyrë të ndërsjelltë me një tjetër hoxhë. Zoti Diakite thotë se është tepër shpejt për të thënë nëse kjo godinë do të funksionojë siç duhet apo jo. Por sidoqoftë, thotë ai, është e vetmja zgjidhje e përkohshme që kemi.

Autoritetet e Parisit janë dakord. Ata kanë ofruar një kontratë qeraje tre vjeçare për ndërtesën. Si zgjidhje afatgjatë, thotë nënprefekti Renaud Vedel, qeveria ka në plan të ndihmojë në ndërtimin e një instituti islamik në Paris.

Nënprefekti thotë se fondet publike do të financojnë pjesën kulturore të qendrës, ndërsa komuniteti islamik do të financojë pjesën fetare.

Myslimanët francezë, shumica e të cilëve janë nga Afrika e veriut dhe ajo nën-sahariane, kanë kohë që ankohen për problemet e ndërtimit të xhamive të reja. Ata kanë përmendur mungesën e fondeve, burokracinë e tepërt si dhe probleme ligjore të ngritura nga francezë që janë kundra tyre.

Duke patur parasysh shtimin e ndjeshëm të ndjenjave kundër imigrantëve, disa e shohin ligjin që ndalon lutjet në rrugë si një lëvizje politike të qeverisë së qendrës së djathtë për të fituar vota për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2012. Një vendim i mëparshëm i qeverisë, disa muaj më parë, për të ndaluar veshjen e vellove ngjalli mjaft debat. Kritikët thonë se ishte një tjetër taktikë politike pasi vellon e përdorin shumë pak gra myslimane në Francë.

XS
SM
MD
LG