Lidhje

Vritet sulmuesi i Strasbourgut


I dyshuari për vrasjen e tre personave në tregun e krishtlindjeve në Strasbourg, u vra të enjten në një shkëmbim zjarri me policinë, pas 48 orë arratisjeje.

Cherif Chekatt, 29 vjeç, u vra në zonën Neudorf/Meinau të qytetit një operacion të shkallë të gjerë të policisë, rreth 2 kilometra nga vendi i sulmit të së martës.

Chekatt u vra pasi qëlloi mbi policinë. Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, u tha gazetarëve se tre oficerë të policisë hasen në një person që besohej se ishte Cherif Chekatt dhe deshën ta arrestojnë. Ai qëlloi mbi policët të cilët e kthyen zjarrin duke e vrarë atë.

"Mendoj se kjo do të ndihmojë për t'u kthyer në një jetë, që unë do ta përshkruaja si normale," tha kryetari i bashkisë së Strasburgut, Roland Ries, pas lajmit se Chekatt ishte vrarë.

"Me vdekjen e këtij terroristi ... qytetarët, si unë, ndjehen të çliruar," tha ai

I dyshuari Chekatt, ishte në listën e personave të dyshuar si kërcënim i mundshëm për sigurinë.

Ai kishte kaluar kohë në burgjet franceze, gjermane e zvicerane për vjedhje dhe sjellje të dhunshme dhe autoritetet thanë se ai kishte zhvilluar pikëpamje radikale fetare gjatë kohës sa ishte prapa grilave.

Dëshmitarët u thanë hetuesve se sulmuesi brohoriti "Allahu Akbar" (Zoti është i Madh) derisa hapi zjarr të martën në tregun e krishtlindjeve në Strasbourg, një shënjestër që prokurori i Parisit, Remy Heitz, la të kuptohej se mund të ishte zgjedhur për shkak të simbolikës fetare.

Ushtarët që janë pjesë e patrullimeve kundër terrorizmit gjithandej Francës, e qëlluan atë në kah, por ai arriti të ikë dhe të shmang kapjen për 48 orë.

Televizioni BFM, duke cituar hetuesit, tha se shoferit të taksisë me të cilën ai ishte larguar nga vendi i sulmit, i kishte thënë se e ka kryer sulmin si hakmarrje për vëllezërit e tij në Siri.

Grupi militant, Shteti Islamik, shkroi në faqen e internetit të agjencisë së tij Amaq, të enjten se sulmuesi ishte një nga “ushtarët e tij”, por pa ofruar ndonjë provë për këtë.

Në komunikatë thuhet se “ai e kreu operacionin në përgjigje të thirrjeve për të goditur qytetarët e vendeve të koalicionit” që lufton grupin militant në Siri dhe Irak.

Franca ka përjetuar sulme të mëparshme ekstremistësh. Shteti Islamik pretendoi autorësinë për dy netë sulmesh me armë dhe bomba në Paris në nëntor të 2015-ës, kur u vranë 130 persona. Vetëm pak muaj më herët një sulm me armë mori jetë njerëzish në selinë e një reviste satirike dhe u pasua nga një pengmarrje në një supermarket.

Në vitin 2016-të, një sulm me kamion në qytetin Nice la pas vetes 86 viktima.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG