Lidhje

Francë: Fronti kombëtar, fitore në raundin e parë


Partia e ekstremit të djathtë francez Fronti Kombëtar ka dalë fituese në raundin e parë të votimit për zgjedhjet rajonale të Francës, duke siguruar gati një të tretën e votave dhe pjesën më të madhe të tyre në gjashtë nga 13 rajone të Francës. Rezultati është një goditje për presidentin Francois Hollande të partisë Socialiste, popullariteti i të cilit ishte rritur pas sulmeve terroriste të muajit të kaluar në Paris.

Ky ishte testi i parë politik për Francën që nga sulmet terroriste dhe Fronti Kombëtar i zonjës Marine Le Pen ka dalë si fitues i qartë. Rezultati tregoi se bota e vjetër politik është "shkatërruar", tha zonja Le Pen.

"Fronti Kombëtar është e vetmja forcë me të vërtetë republikane, sepse ai është i vetmi që mbron kombin dhe sovranitetin e tij," tha zonja Le Pen.

Mbështetësit e partisë ishin të entusiazmuar.

Ludovik, mbështetës i Frontit Kombëtar

"Populli francez është ngopur, ka ardhur koha për të ndryshuar gjërat."

Mes kundërshtarëve vihej re tronditja:

"Sulmet e Parisit patën ndikim në atë që mendojnë njerëzit. Kjo vërtet luajti rol të madh dhe është për të ardhur keq."

Pas sulmeve, zonja Le Pen argumentoi se Franca nuk duhet të pranojë më emigrantët myslimanë. Por frika e votuesve nuk janë i vetmi shpjegim për suksesin e partisë, thotë profesor Mathew Goodwin i grupit Chatham House, i cili foli me Zërin e Amerikës me Skype.

"Këta votues janë të shqetësuar edhe për Bashkimin Evropian dhe për kërcënimin e perceptuar që integrimi evropian përbën për mënyrën e tyre të jetesës dhe gjendjen e tyre ekonomike. Ata janë gjithashtu thellësisht të pakënaqur me elitën politike të vendit."

Rezultati përfundimtar do të vendoset në raundin e dytë. Republikanët e ish-presidentit Nikolas Sarkozi e kanë përjashtuar bashkëpunimin me socialistët për të bllokuar Frontin Kombëtar, një taktikë e përdorur në zgjedhjet e kaluara.

Muajt e fundit partitë e djathta kanë arritur suksese në votime në të gjithë Evropën.

"Nëse BE-ja nuk është në gjendje të trajtojë me efektivitet krizën e refugjatëve dhe të rikthejë rritjen në eurozonë, e cila është ende në stanjacion, atëherë ka të ngjarë që ajo të përballet me një sfidë të madhe."

Sfida e parë vjen të dielën në raundin e fundit të votimit në Francë. Një fitore për Frontin Kombëtar do të dërgonte valë tronditëse në të gjithë kontinentin.

XS
SM
MD
LG