Lidhje

Hollande: Detyra jonë, mbrojtja e qytetarëve


Presidenti francez François Hollande u kërkoi sot zyrtarëve rajonalë të bëjnë gjithçka brenda kompetencave të tyre për të mbrojtur qytetarët ndërkohë që policia vazhdon përpjekjet për të kapur dy personat e armatosur rëndë, të dyshuar për vrasjet në redaksinë e gazetës Charlie Hebdo. Komente bëri edhe udhëheqësja e së djathtës franceze, Marine Le Pen.

"Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve tanë dhe kjo është detyra juaj. Edhe Ministri i Brendshëm e bëri të qartë këtë. Kryeministri, i cili ka qenë më parë ministër i brendshëm, ka besim tek ju dhe tek ajo që ju përfaqësoni. Ju jeni shteti dhe në rajonet tuaja ju duhet të tregoni se shteti është këtu. Kjo do të thotë të përdoren të gjitha mjetet atje ku ka rreqize," tha Presidenti Hollande.

Presidenti francez u bëri thirrje zyrtarëve lokalë për të rritur sigurinë në objektet që mund të vihen në shënjestër dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.

Ai paralajmëroi kundër sulmeve hakmarrëse dhe i bëri thirrje popullit të qëndojë i bashkuar në këtë kohë krize.

Ndërkohë, udhëheqësja e së djathtës franceze, Marine Le Pen bëri thirrje për një debat mbi rritjen e fondamentalizmit islamik në Francë. Duke folur pas një takimi me presidentin Hollande, ajo tha se duhet të ndërmerren hapa për të garantuar "sigurinë e vendit dhe popullit".

"Presidenti më siguroi se do të zhvillohet një debat i thellë lidhur me rritjen e fondamentalizmit islamik në vendin tonë dhe se do të dëgjohet zëri i të gjitha partive politike, lidhur me hapat e nevojshme për të garantuar sigurinë e vendit dhe të popullit tonë".

Zonja Le Pen tha se është i nevojshëm një ndryshim në politikën e jashtme franceze për ndërprerjen e lidhjeve me vendet që "mbështesin dhe financojnë fondamentalizmin islamik".

XS
SM
MD
LG