Lidhje

Vendimi për Haradinajn, më 9 shkurt


Të mërkurën në një gjykatë në qytetin Colmar të Francës lindore, është paraqitur dosja e autoriteteve serbe kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte. Shqyrtimi i dosjes së dorëzuar të mërkurën dhe kërkesës serbe për ekstradim të zotit Haradinaj në Serbi, do të bëhet të enjten e ardhshme më 9 shkurt.

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë.

Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi me kusht zotin Haradinaj, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që siç thuhet nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm.

Ndalimi i zotit Haradinaj nxiti reagime ne shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

XS
SM
MD
LG