Lidhje

Vendimi për Ramush Haradinajn pritet më 27 prill


Një gjykatë në qytetin Colmar të Francës lindore, vendosi të shtyjë për datën 27 prill vendimin për ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai u paraqit sot sërish para gjykatës, ku është shqyrtuar kërkesa e autoriteteve serbe për ekstradimin e tij. Beogradi e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte.

Vendimi për Ramush Haradinajn pritet të merret më 27 prill
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Gjatë seancës së sotme prokuroria dhe mbrojtja e zotit Haradinaj paraqitën fjalën e tyre lidhur dokumentet e dërguara nga Beogradi.

Zoti Haradinaj vazhdon ta konsiderojë vetën "peng politik" dhe procesin një "abuzim me ligjin dhe drejtësinë".

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë, kërkesa që kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb nxiti shumë reagime në Kosovë ku parlamenti miratoi edhe një rezolutë për pezullimin e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG