Lidhje

Macron bën bashkë Thaçin e Vuçiçin në Paris


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Takimi u zhvillua në margjinat e Forumit për Paqe që po i zhvillon punimet në kryeqytetin e Francës.

Paris, takim Thaçi-Vuçiç me ndërmjetësimin e presidentit Macron
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një komunikate se "Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila duhet të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por edhe më shumë paqe e qëndrueshëmri në tërë rajonin e Ballkanit".

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ritheksoi kërkesën e Serbisë për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si kusht për rifillimin e bisedimeve të pezulluara tash ë një vit me radhë.

Diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, ku ende po vazhdon procesi i numërimit e rinumërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Shtetet e Bashkuara nëpërmjet të dërguarve të posaçëm për Ballkanin dhe për bisedimet Kosovë - Serbi, Mathew Palmer dhe Richard Grenell janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi dhe presidenti Vuçiç, e vlerësuan veprimin e presidentit francez i cili muajin e kaluar nxiti shumë reagime me bllokimin e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Balkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Të dielën në Ohër, u mbajt takimi i radhës që pasoi atë të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad dhe aty ishin ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Kosova refuzoi pjesëmarrjen duke e cilësuar nismën si një përpjekje për rikrijim të një Jugosllavie. Presidenti Thaçi tha se Kosova nuk dëshiron ta zëvendësojë ardhmërinë euroatlantike me çfarëdo nisme rajonale.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, kritikoi Kosovën për vetizolim ndërsa theksoi se nisma ka për qëllim vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG